110 mln euro nga Gjermania për energjinë/ Karakaçi zbulon 3 projektet

Qeveria shqiptare ka miratuar tre marrëveshje me qeverinë gjermane, me një vlerë totale prej 110 milionë eurosh, për financimin e projekteve në sektorin e energjisë dhe eficiencës energjetike. Nga kjo shumë, 20 milionë euro do të ofrohen në formën e grantit. Detajet u bënë të ditura nga ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, i cili tha se marrëveshjet lidhen me rehabilitimin e konvikteve, HEC-in e Vaut të Dejës dhe digjitalizimin e sistemeve të operatorit të transmetimit.
Një nga projektet parashikon ndërhyrje në 14 konvikte, në vijim të investimeve të kryera më herët në 15 godina të tjera, me synim rritjen e eficiencës së energjisë dhe përmirësimin e kushteve. Projekti i dytë lidhet me rehabilitimin e HEC-it të Vaut të Dejës, një prej veprave të rëndësishme energjetike në vend. Sipas Karakaçit, ndërhyrja pritet t’i zgjasë hidrocentralit jetëgjatësinë me rreth 30 vite. HEC-i i Vaut të Dejës siguron rreth 28% të prodhimit të energjisë nga KESH. Ndërkohë, marrëveshja e tretë parashikon digjitalizimin e sistemeve të operatorit të transmetimit, për një menaxhim më efikas të flukseve të energjisë dhe rritjen e kapaciteteve të furnizimit. Projekti përfshin rreth 40 nënstacione të transmetimit.
“Kemi nënshkruar tre marrëveshje me qeverinë gjermane, për tre projekte të rëndësishme. Lidhet me rehabilitimin e konvikteve, vijojmë punën për 14 konvikte në vijim. Programi i dytë është rehabilitimi i HEC Vau i Dejës, një vepër e rëndësishme energjetike, i shtojmë jetëgjatësinë me 30 vite. Programi i tretë, dixhitalizimi i sistemeve të operatorit të transmetimit, me qëllim menaxhimin e flukseve të energjisë”, deklaroi Karakaçi.
Ministri foli edhe për programet e eficiencës së energjisë. Sipas tij, dy programe për eficiencën e energjisë dhe panelet diellore për ujin e ngrohtë kanë përfituar rreth 4 mijë klientë familjarë dhe janë realizuar brenda një kohe të shkurtër. Karakaçi tha se Agjencia e Eficiencës së Energjisë ka gjithashtu programe specifike për rehabilitimin e pallateve dhe ndërtesave në qytete të caktuara. Një tjetër nismë që pritet të vihet në zbatim brenda këtij viti është krijimi i një Fondi të Eficiencës së Energjisë. Sipas ministrit, fondi do të ketë një vlerë të përcaktuar financiare dhe do të menaxhohet nga një bord specifik, me qëllim mbështetjen e qytetarëve dhe bizneseve për investime në eficiencën e energjisë. “Një ndër elementët që ne do të përpiqemi ta kemi në fuqi brenda këtij viti është krijimi i një fondi të eficiencës së energjisë. Ky fond do të ketë një vlerë të caktuar parash që do të menaxhohet nga një bord specifik që do të japë mbështetje për të gjithë qytetarët dhe bizneset për eficiencën e energjisë”, u shpreh Karakaçi.






Comments