Zonat e mbrojtura me tarifa të reja, ja sa do të paguajnë turistët, bizneset dhe aktivitetet turistike

Tarifat për aktivitetet që zhvillohen në zonat e mbrojtura pritet të rishikohen, pas më shumë se pesë vitesh nga miratimi i skemës aktuale. Sipas relacionit të projektvendimit hartuar nga Ministria e Mjedisit, tarifat ekzistuese nuk janë përditësuar që prej vitit 2020 dhe nuk reflektojnë më kostot reale të administrimit, rritjen e fluksit turistik dhe diversifikimin e aktiviteteve në këto zona.
Qeveria argumenton se ndryshimet mbështeten në parimin “përdoruesi paguan”, duke parashikuar që individët dhe subjektet që përfitojnë ekonomikisht ose zhvillojnë aktivitete me ndikim më të lartë në zonat e mbrojtura të kontribuojnë në mënyrë proporcionale në kostot e administrimit dhe ruajtjes. Projektvendimi parashikon jo vetëm rishikimin e tarifave ekzistuese, por edhe diferencimin e aktiviteteve turistike, sportive, rekreative dhe edukative, si dhe zgjerimin e kategorive të shërbimeve që do të tarifohen.
Sa do të paguajnë turistët?
Për vizitorët që hyjnë në parqet e menaxhuara, tarifa propozohet në 200 lekë në ditë për person, ndërsa për mjetet motorike varion nga 150 deri në 500 lekë në ditë, në varësi të kapacitetit.
Kampingu do të ketë gjithashtu tarifa të veçanta: 700 lekë në ditë për çadrat deri në 3 persona, 1,000 lekë për çadrat mbi 4 persona, 1,500–2,500 lekë për rulota dhe 3,000 lekë për barakat prej druri.
Nga hiking te rafting – tarifohen aktivitetet sportive
Për aktivitetet ekoturistike, tarifa e propozuar është 300 lekë/ditë për hiking, 300 lekë për kayaking dhe 350 lekë për rafting. Aktivitetet e tjera ekoturistike do të tarifohen me 1,300 lekë në ditë për person.
Zhytjet profesionale në zonat e mbrojtura detare dhe liqenore do të tarifohen me 2,500 lekë në ditë për person të autorizuar, ndërsa vëzhgimi i faunës së egër do të kushtojë 100–700 lekë në ditë për person.
Jahteve u vendoset tarifë 13 mijë lekë në ditë
Për ankorimin e mjeteve lundruese, tarifa nis nga 1,300 lekë në ditë për varka dhe skafe deri në 5 persona dhe arrin në 13,000 lekë në ditë për jahte.
Bizneset: deri në 1,500 lekë/m² në vit
Edhe bizneset që ushtrojnë aktivitet në zonat e mbrojtura do të përballen me tarifa për përdorimin e sipërfaqeve. Për bare, restorante, hotele dhe objekte tregtie tarifa është 800–1,000 lekë/m² në vit, ndërsa për qendra apo komplekse pushimi, kurimi dhe turistike 1,200–1,500 lekë/m² në vit.
Pse po ndryshojnë tarifat?
Sipas relacionit të projektvendimit, ndryshimet synojnë të përmirësojnë administrimin financiar të zonave të mbrojtura dhe të rrisin kapacitetet e AKZM-së dhe ZAPK-ve për zbatimin e planeve të menaxhimit. Të ardhurat shtesë synohen të përdoren për monitorimin dhe ruajtjen e biodiversitetit, mirëmbajtjen e infrastrukturës dhe përmirësimin e shërbimeve për vizitorët. Në relacion theksohet gjithashtu se në hartimin e tarifave janë marrë në konsideratë praktikat e vendeve të rajonit, përfshirë Greqinë dhe Malin e Zi.






Comments