Vaji i ullirit hyn në sezonin e ri, Shqipëria përballë sfidës së madhe

Nga Enea Janko
Gjatë sezonit të kaluar prodhimi botëror i vajit të ullirit ishte i mbarë duke arritur në rreth 3.45 milionë tonë, çka ka sjellë një rënie të çmimit në tregun ndërkombëtar krahasuar me një vit më parë. P.sh. në Spanjë, që është prodhuesi më i madh i vajit të ullirit në botë, çmimi i vajit të ullirit ekstra të virgjër në javën e tretë të shtatorit 2026 arriti rreth 3.47 euro/kg nga 4.22 euro/kg që ishte në shtator 2025, 7.4 euro/kg në shtator 2024 dhe 8.41 euro/kg në shtator 2023.
Nga parashikimet e bëra nga specialistët për prodhimin global të vajit të ullirit për sezonin e ri që sapo ka filluar, pritet që të jetë i mbarë duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët ndikues, megjithëse akoma nuk ka një vlerësim të plotë për shifrat e sakta të prodhimit. Duke llogaritur edhe stokun e vajit që është gjendje nga sezoni i kaluar, mendohet që çmimi i vajit gjatë fundit të vitit 2026 dhe vitit 2027, do të luhatet në nivelet 3.5 -4 euro/kg. Ndërkohë që situata e prodhimit të vajit në Shqipëri megjithëse duket e mbarë, sasitë e prodhimit akoma nuk mund të parashikohet me saktësi për shkak edhe të ndikimit të thatësirës dhe zjarreve masive gjatë muajve të verës.
Gjithsesi, duke marrë në konsideratë gjendjen e stokut të mbetur nga viti 2025-2026, është e nevojshme që të ndërtohen strategji dhe plane të mirë-menduara për rritjen e shitjeve të vajit të ullirit sidomos në tregjet e huaja. Ndryshe nga vitet e shkuara, në Shqipëri gjatë dy viteve të fundit janë bërë disa përmirësime të rëndësishme lidhur me standardet e cilësisë së prodhimit të vajit të ullirit. Së pari, ka pasur një rritje të ndërgjegjësimit të kultivuesve të ullirit për mos përdorimin e pesticideve të ndaluara.
Së dyti, janë bërë investime lidhur me rritjen e kapacitetit të depozitave të inoksit për ruajtjen në mënyrë cilësore të vajit, megjithëse akoma mbi 60 % e prodhimit vjetor ruhet në kushte jo profesionale. Së treti, janë bërë investime të reja për linjat e mbushjes dhe ambalazhimit të vajit të ullirit, duke mundësuar rritjen e produkteve shqiptare të shishe qelqi dhe të branduara në mënyrë profesionale. Së katërti, disa fermerë dhe prodhues kanë filluar kultivimin dhe prodhimin e produkteve organike të vajit të ullirit, duke ia rritur akoma më shumë vlerën këtyre produkteve. Së pesti, disa prodhues shqiptarë kanë filluar t’i kushtojnë më shumë rëndësi procesit të analizave laboratorike të produkteve të tyre, duke bashkëpunuar me laboratorë të njohur ndërkombëtarë në Itali, Greqi dhe vende të tjera të BE-së.
Përmirësimet e sipërpërmendura krijojnë kushte të favorshme për rritjen e konkurrueshmërisë së produkteve shqiptare të vajit të ullirit në tregun shqiptar, por mbi të gjitha për zgjerimin dhe rritjen e shitjeve në tregjet ndërkombëtare. Megjithatë mbetet sfidë për kompanitë dhe produktet shqiptare ulja e kostove të prodhimit, të cilat janë pakrahasimisht më të larta sesa në të gjitha vendet e tjera, pa llogaritur këtu edhe mungesën e subvencioneve nga ana e qeverisë shqiptare, ndërkohë që në vendet e tjera subvencionet janë të konsiderueshme.






Comments