top of page

Tatimet kalojnë "në sitë" të ardhurat nga Booking, ja kush do të kontrollohet

Aug 27
2 min read

Administrata Tatimore ka nisur kontrollet ndaj individëve dhe subjekteve që kanë realizuar të ardhura përmes platformës së rezervimeve Booking.com, në kuadër të planit operacional për turizmin.


Pas përfundimit të fazës së informimit, janë përzgjedhur 100 tatimpagues, individë dhe subjekte, të cilët sipas të dhënave të administratës rezultojnë të kenë realizuar rreth 24.9 milionë euro të ardhura përmes Booking.com gjatë periudhës tetor 2022 – dhjetor 2025.


Kontrollet do të kryhen nga Drejtoria e Hetimit dhe Drejtoritë Rajonale të Tatimeve. Qëllimi është të verifikohet nëse të ardhurat e siguruara përmes platformës online janë deklaruar dhe trajtuar në përputhje me detyrimet tatimore të parashikuara nga legjislacioni në fuqi.


Administrata Tatimore ka paralajmëruar se kontrollet do të synojnë evidentimin e rasteve kur të ardhurat e realizuara përmes platformave online nuk janë deklaruar, ose nuk janë deklaruar në përputhje me detyrimet ligjore. Të dhënat për rezervimet dhe të ardhurat e realizuara përmes platformave dixhitale po përdoren gjithnjë e më shumë nga administratat tatimore për të identifikuar aktivitetet ekonomike që mund të mos jenë pasqyruar në deklarimet tatimore.


Administrata Tatimore u bën thirrje individëve dhe subjekteve që ofrojnë struktura akomoduese apo shërbime të tjera dhe realizojnë të ardhura përmes platformave online që të deklarojnë saktë të ardhurat e tyre.


Sipas Tatimeve, respektimi i detyrimeve ligjore është i rëndësishëm për të shmangur pasojat administrative dhe penale që mund të lindin në rast të mosdeklarimit apo deklarimit të pasaktë të të ardhurave. Kontrollet janë pjesë e masave të formalizimit të sektorit të turizmit, një fushë ku përdorimi i platformave online për prenotime është rritur ndjeshëm vitet e fundit.


Administrata Tatimore paralajmëron se kontrollet ndaj të ardhurave të realizuara përmes platformave online do të vijojnë, në kuadër të formalizimit të aktivitetit ekonomik dhe luftës kundër informalitetit në turizëm.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page