top of page

Taksa e fjetjes ndryshon mënyrën e llogaritjes. Hotelet paguajnë edhe për klientë që nuk i kanë pasur

Oct 2
2 min read

Strukturat akomoduese po përballen me një ndryshim në mënyrën e llogaritjes së taksës së fjetjes. Në vend që pagesa të bazohet në numrin real të personave që kanë qëndruar në hotel, sipas operatorëve të sektorit, tashmë detyrimi llogaritet mbi një nivel të përcaktuar të shfrytëzimit të kapacitetit. Një prej operatorëve shpjegon se më parë çdo muaj plotësohej një evidencë me emrat e personave të akomoduar dhe, mbi bazën e këtyre të dhënave, paguhej taksa e fjetjes. Për një tarifë prej 140 lekësh për person, një dhomë e zënë nga dy persona gjeneron 280 lekë taksë. Një hotel me 10 dhoma, nëse do të ishte i mbushur me çifte, do të paguante rreth 2,800 lekë në ditë. Por sipas operatorëve, të konsultuar nga ekobiz.al me ndryshimin e ri kjo evidencë nuk është më baza e pagesës. Hotelet mund të detyrohen të paguajnë taksën duke u llogaritur mbi rreth 65% të kapacitetit të strukturës, pavarësisht nivelit real të zënies nga Maji në Shtator. Për pjesën tjetër do paguajnë 30% të kapaciteteve. Kjo, sipas tyre, krijon një situatë ku një hotel mund të paguajë taksë edhe në ditët kur nuk ka pasur klientë. Madje, operatorët sjellin si shembull rastet kur një strukturë është mbyllur për disa ditë për rikonstruksion, por detyrimi fiskal është llogaritur sikur aktiviteti të kishte vijuar normalisht. Skema e prezantuar një vit më parë po zbatohet këtë vit. Problemi bëhet edhe më i ndjeshëm për hotelet sezonale, të cilat mund të kenë aktivitet vetëm gjatë fundjavave ose në periudha të caktuara të sezonit, ndërsa detyrimi mund të llogaritet mbi 65% të kapacitetit.

Operatorët e sektorit thonë se kjo i shton kostot e biznesit në një kohë kur edhe taksat e tjera vendore janë rritur. Ata argumentojnë se rritja e barrës fiskale duhet të shoqërohet edhe me investime në infrastrukturën lokale, veçanërisht në rrugë, ndriçim dhe shërbime që ndikojnë drejtpërdrejt në aktivitetin turistik. Ndërkohë, sipas tyre, apartamentet që ofrohen për qëndrime turistike vijojnë të jenë në një pozicion më të favorshëm për sa i përket kësaj barre, duke shtuar shqetësimin për konkurrencën në tregun e akomodimit. Taksa e fjetjes është e ndarë nga taksat e tjera vendore që bizneset paguajnë gjatë vitit. Pikërisht mënyra e re e llogaritjes po kundërshtohet nga operatorët, pasi, sipas tyre, largohet nga parimi i pagesës mbi aktivitetin real dhe vendos një detyrim të paracaktuar mbi strukturën akomoduese.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page