Siguria e depozitave rritet në 6 milionë lekë, ja çfarë ndryshon për qytetarët dhe bankat

Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) ka përgatitur projektligjin e ri për sigurimin e depozitave, i cili parashikon rritjen e kufirit ligjor të mbulimit për depozitat bankare nga 2.5 milionë në 6 milionë lekë. Ndryshimi synon të forcojë mbrojtjen e depozituesve dhe njëkohësisht të përafrojë kuadrin shqiptar me standardet e Bashkimit Europian. Në një fazë të dytë, me anëtarësimin e Shqipërisë në BE, kufiri i sigurimit parashikohet të rritet më tej në 100 mijë euro, në përputhje me legjislacionin komunitar. Sipas projektligjit, në rast të një ngjarjeje sigurimi, ASD do të kompensojë deri në 6 milionë lekë depozitat e agreguara të çdo depozituesi në një bankë anëtare të skemës. Për depozitat në Shoqëritë e Kursim-Kreditit, kufiri mbetet 2 milionë lekë, i njëjtë me atë të parashikuar në ligjin aktual.
Mbulim deri në 15 milionë lekë për depozitat e përkohshme
Një nga risitë kryesore është trajtimi i depozitave me balancë të përkohshme. Projektligji parashikon kompensim deri në 15 milionë lekë, nëse fondet janë transferuar në llogari ose janë bërë ligjërisht të transferueshme brenda një periudhe jo më shumë se gjashtë muaj përpara ngjarjes së sigurimit. Këtu përfshihen, ndër të tjera, shumat që burojnë nga transaksionet për blerjen e banesës, përfitimet sociale të lidhura me martesën, divorcin, pensionin, humbjen e punës, lindjen apo paaftësinë, përfitimet nga sigurimi dhe risigurimi, si dhe dëmshpërblimet për dënime të padrejta penale. Për përfitimin e këtij mbulimi, depozituesi duhet të paraqesë dokumentacionin që provon burimin dhe të drejtën mbi fondet.
Bankat do të paguajnë sipas rrezikut
Projektligji sjell ndryshim edhe në mënyrën se si bankat kontribuojnë në skemën e sigurimit të depozitave. Në vend të një kontributi uniform, primi vjetor do të përcaktohet në bazë të profilit të rrezikut të secilit institucion të kreditit, si dhe shumës së depozitave të siguruara që ai mban. Metodologjia për llogaritjen e primeve të bazuara në rrezik do të miratohet nga Banka e Shqipërisë, me propozim të Këshillit Drejtues të ASD-së, ndërsa ASD-ja do ta vlerësojë të paktën një herë në pesë vjet nëse kjo metodologji duhet rishikuar.
Ndryshimi synon që barra financiare e skemës të lidhet më drejtpërdrejt me nivelin e rrezikut që merr përsipër secila bankë.
Fondi i sigurimit nuk mund të jetë nën 0.8%
Projektligji përcakton gjithashtu se niveli i synuar i fondit të sigurimit të depozitave do të miratohet nga Këshilli Drejtues i ASD-së, së bashku me afatin për arritjen e këtij niveli. Megjithatë, fondi i sigurimit të depozitave në institucionet e kreditit nuk mund të jetë në asnjë rast më i ulët se 0.8% e shumës së depozitave të siguruara në bankat anëtare të skemës. Në thelb, ndryshimet sjellin një nivel më të lartë mbrojtjeje për kursimet e qytetarëve, ndërsa për bankat kalojnë nga një qasje uniforme në një sistem ku kontributi lidhet me rrezikun dhe madhësinë e depozitave të siguruara.






Comments