top of page

Shqipëria po importon fuqi punëtore, rriten me 117% të huajt nga Azia

Aug 24
2 min read

Shqipëria po bëhet gjithnjë e më shumë një destinacion për shtetas të huaj që vijnë për të punuar dhe jetuar. Teksa kriza demografike sa vjen dhe thellohet, zëvendësimi i punëtorëve me shtetas të huaj po kthehet në domosdoshmëri. Shifrat tregojnë se në fund të vitit 2025, numri i të huajve me leje qëndrimi në vend arriti në 32,163 persona, duke shënuar një rritje prej 46.6% krahasuar me vitin 2024.

Puna është arsyeja kryesore që i sjell të huajt në Shqipëri. 55.1% e lejeve të qëndrimit janë dhënë për qëllime punësimi, ndërsa pas saj renditet bashkimi familjar me 19.8%.

Të dhënat tregojnë gjithashtu një ndryshim të fortë në origjinën e fuqisë punëtore që po hyn në tregun shqiptar. Evropa mbetet kontinenti me numrin më të madh të shtetasve të huaj, me 17,022 persona ose 52.9% të totalit, por rritja më e madhe vjen nga Azia. 

Numri i shtetasve aziatikë me leje qëndrimi u rrit me 117.6% gjatë vitit 2025, duke arritur në 9,891 persona. Ndërkohë, nga Amerika, Afrika dhe Oqeania numërohen 5,250 persona, me një rritje prej 73.4%.  Edhe aplikimet për leje qëndrimi kanë shënuar një rritje të ndjeshme. Në vitin 2025 ato u shtuan me 43.5% krahasuar me një vit më parë. Në këtë fluks spikasin veçanërisht shtetasit nga India dhe Filipinet, të cilët së bashku përbëjnë 26.6% të aplikimeve.

Shifrat tregojnë një realitet të ri për tregun shqiptar të punës: ndërsa emigrimi i shqiptarëve vijon të mbetet një sfidë, bizneset po i drejtohen gjithnjë e më shumë fuqisë punëtore nga jashtë për të plotësuar nevojat e tyre për punonjës. Në të njëjtën kohë, autoritetet kanë evidentuar edhe rritje të numrit të të huajve të parregullt.Shqipëria po përjeton një ndryshim të rëndësishëm në tregun e punës, nga një vend që eksportonte masivisht fuqi punëtore, po kthehet gradualisht edhe në një vend që tërheq punonjës nga jashtë

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page