Shpallen fituesit! Kredi të buta për 1,500 familje në Tiranë

Rreth 1,500 familje në Tiranë janë shpallur fituese të radhës të programit të strehimit social për subvencionimin e interesave të kredive. Lista me emrat e përfituesve i është përcjellë Këshillit Bashkiak të Tiranës për miratim, ndërsa pas përfundimit të kësaj procedure, familjet do të mund të vijojnë aplikimin pranë bankave të nivelit të dytë. Programi synon të lehtësojë barrën financiare për familjet që duan të blejnë një banesë në kryeqytet, por që përballen me vështirësi për të përballuar kostot e larta të tregut të pasurive të paluajtshme.
Përmes kësaj skeme, një pjesë e interesave të kredisë subvencionohet nga buxheti i shtetit, duke u mundësuar përfituesve të marrin kredi për blerjen e një apartamenti me kushte më të favorshme financiare. Sipas njoftimit, kredia përfitohet me normë interesi prej 3%, në përputhje me kushtet e programit.
Pas miratimit të listës nga Këshilli Bashkiak, familjet e shpallura fituese duhet të paraqiten pranë bankave të nivelit të dytë me të cilat Bashkia e Tiranës ka lidhur marrëveshje, për të vijuar procedurat e përfitimit të kredisë së butë.
Vlera e kredisë që mund të përfitojë secili aplikues përcaktohet në bazë të numrit të anëtarëve të familjes dhe kritereve të parashikuara nga programi.
Skema e subvencionimit të interesave të kredive është një nga instrumentet e strehimit social që zbatohet prej disa vitesh në Tiranë. Përmes saj, synohet t'u krijohen mundësi më të mira familjeve që nuk arrijnë të përballojnë lehtësisht kostot e financimit për blerjen e një banese.






Comments