Sa lekë u kushtojnë veset shqiptarëve? 40 mijë lekë në vit për alkool dhe duhan

Alkooli dhe duhani po marrin një pjesë të konsiderueshme të buxhetit familjar në Shqipëri. Gjatë vitit 2025, këto dy kategori përthithën 4.3% të shpenzimeve mesatare mujore të familjeve, nga 4.2% një vit më parë. Një peshë që, e përkthyer në para, tregon se sa kushtojnë këto zakone për financat e familjeve shqiptare.
Sipas të dhënave të INSTAT, një familje shqiptare shpenzoi mesatarisht 95,227 lekë në muaj gjatë vitit 2025. Nga kjo shumë, rreth 4,100 lekë shkuan për pije alkoolike dhe produkte duhani. Në një vit, fatura arrin në afro 49 mijë lekë për familje. Përtej shumës, bie në sy edhe ritmi i rritjes. Shpenzimet për alkool dhe duhan u rritën me 5.1% krahasuar me vitin 2024, më shumë se dyfishi i rritjes prej 2.3% të shpenzimeve familjare në tërësi. Kjo kategori regjistroi një nga rritjet më të larta gjatë vitit, pas argëtimit dhe kulturës.
Krahasimi me zërat e tjerë të buxhetit familjar e bën edhe më të dukshme peshën e këtyre shpenzimeve. Alkooli dhe duhani zënë 4.3% të totalit, më shumë se shëndetësia me 3.4%, arsimi me 3.3%, komunikimi me 3.7% dhe argëtimi e kultura me 2.8%. Në rang kombëtar, shpenzimet mujore për konsum arrijnë në rreth 72.3 miliardë lekë. Përllogaritjet e “Scan Intel”, bazuar në peshën që zë kjo kategori, e çojnë faturën për alkool dhe duhan në rreth 3.1 miliardë lekë në muaj, ose afro 37 miliardë lekë në vit. Kjo është një përllogaritje e nxjerrë nga të dhënat e INSTAT dhe jo një shifër e publikuar drejtpërdrejt nga institucioni.
Në këtë kategori, INSTAT përfshin pijet alkoolike të blera për konsum në shtëpi, si vera, birra, rakia dhe whisky, si dhe cigaret, purot e produkte të tjera të duhanit. Ndërkohë, konsumi në bare dhe restorante klasifikohet në një kategori tjetër shpenzimesh. Kjo do të thotë se fatura e vërtetë e alkoolit dhe duhanit mund të jetë edhe më e lartë, nëse llogariten edhe paratë e shpenzuara për këto produkte jashtë shtëpisë. Për familjet shqiptare, “veset” nuk janë thjesht një zgjedhje konsumi, por edhe një zë që konkurron drejtpërdrejt me shpenzimet për nevoja të tjera. Scan Tv






Comments