Rriten lejet e ndërtimit në tremujorin e parë të vitit 2026, vlera arrin në 20 miliardë lekë
- Jun 1
- 1 min read

Numri i lejeve të ndërtimit të miratuara në vend vijon të rritet. Sipas të dhënave të INSTAT, në tremujorin e parë të vitit 2026 u miratuan 322 leje për ndërtesa të reja, 24,8% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Kjo shifër rezulton nga të dhënat e bashkive që janë dhe institucionet kryesore të dhënies së lejeve.
Edhe sipërfaqja e planifikuar për ndërtim shënoi rritje me 12,5%, duke arritur në 377 mijë metra katrorë, ndërsa vlera e projekteve të miratuara u vlerësua në 20,4 miliardë lekë, ose 1,6% më shumë se një vit më parë.
Pjesa më e madhe e lejeve të reja i përket ndërtimeve për banim, me 237 leje të miratuara, ndërsa 85 leje janë dhënë për ndërtesa jo-rezidente, si hotele, objekte tregtare dhe industriale. Ndërkohë që leje jep edhe Këshilli Kombëatar i Territorit dhe Ujit. Ky këshill ka në shqyrtim me qindra kërkesa për leje ndërtimi dhe zhvillimi të cilat në thelb parashikojnë ndërtimin e resorteve dhe projekteve të mëdha turistike.
Lejet e ndërtimit janë burimi kryesor i të ardhurave të njësive të pushtetit vendor. Një bashki pa leje ndërtimi e ka të vështirë të mbijetojë financiarisht
INSTAT sqaron se po punohet për përfshirjen në raportim edhe të institucioneve të tjera që marrin pjesë në procesin e miratimit të lejeve të ndërtimit.









Comments