top of page

Rama rikthen “karriget e dialogut” para Kryeministrisë: Dhuna do të ndëshkohet me ligj dhe financiarisht

Oct 21
1 min read

Kryeministri Edi Rama ka vendosur sërish sot “karriget e dialogut” para Kryeministrisë, duke përsëritur ftesën për protestuesit që të ulen dhe të diskutojnë. Rama deklaroi se pakënaqësitë dhe problemet e qytetarëve mund të jenë arsye për të protestuar, por asnjë prej tyre nuk justifikon dhunën. Kreu i qeverisë theksoi se e drejta e protestës është e pamohueshme, ndërsa dhuna përbën një vepër të ndëshkueshme me ligj. Pavarësisht refuzimit të dialogut nga protestuesit një ditë më parë, Rama u shpreh se mbetet i gatshëm të diskutojë me këdo që ka mendime të ndryshme nga ai apo nga shumica.


“Ka një mijë e një pakënaqësi, një mijë e një halle, një mijë e një probleme, mund të ketë edhe 1001 arsye për të protestuar, por asnjë arsye nuk e justifikon dhunën. Çdo arsye është një argument më shumë për dialogun”, deklaroi Rama.


Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se personat që kanë dëmtuar pronën publike dhe private gjatë protestave do të përballen me pasoja ligjore dhe financiare. Sipas tij, kushdo që dëmton pronën e përbashkët apo pasurinë e tjetrit do të duhet të paguajë për dëmet e shkaktuara.


“Përgjigja do të jetë konstante, ligjore dhe financiare. Kush dëmton pronën e përbashkët dhe pasurinë e tjetrit do të paguajë”, u shpreh Rama, duke shtuar se liria e një individi nuk mund të cenohet nga ushtrimi i lirisë së një tjetri.


Deklaratat vijnë një ditë pas protestës në Tiranë, e cila u shoqërua me përplasje mes protestuesve dhe forcave të Policisë, si dhe me dëmtime të institucioneve dhe pronave publike e private.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page