Rama jep 2,500 euro shpërblim për policët e angazhuar në protestë: Masa për studentët që dhunojnë

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar një shpërblim prej 2,500 eurosh për çdo efektiv të Policisë së Shtetit të angazhuar në përballjen me protestat e dhunshme. Gjatë një takimi me drejtues të policisë, Rama deklaroi se shuma do të jetë e njëjtë për të gjithë efektivët në terren, pavarësisht pagës apo pozicionit që mbajnë.
Sipas kryeministrit, shpërblimi synon të vlerësojë sakrificën dhe angazhimin e punonjësve të policisë gjatë përballjes me protestuesit. Ai bëri të ditur gjithashtu se nga 1 janari pagat e efektivëve do të rriten në mënyrë të konsiderueshme. “Ne do t’ju vëmë menjëherë në dispozicion një shumë prej 2,500 eurosh për çdo efektiv që është në këtë front. Nuk e vendosëm sipas pagës, por e vendosëm kështu. E njëjta shumë për të gjithë, sepse në këtë moment jeni të gjithë një dhe një për të gjithë”, deklaroi Rama.
Masa për studentët dhe familjet e të miturve
Kreu i qeverisë paralajmëroi gjithashtu pasoja për personat që përfshihen në akte dhune gjatë protestave. Sipas tij, familjet e të miturve që shkaktojnë dëme materiale do të duhet të paguajnë për dëmet e shkaktuara.
Rama u ndal edhe te studentët që braktisin mësimin për t'u përfshirë në sulme ndaj efektivëve të policisë, duke paralajmëruar masa administrative dhe humbjen e përfitimeve nga shteti, përfshirë bursat dhe mbështetjen financiare. “Nuk do të kenë arsim falas. Ata studentë që dalin dhe dhunojnë Policinë e Shtetit nuk do të kenë bursa, nuk do të kenë mbështetje financiare nga shteti”, u shpreh kryeministri.
Ai argumentoi se dëmet ndaj infrastrukturës publike dhe institucioneve përkthehen në kosto për taksapaguesit, pasi fondet publike duhet të përdoren për riparimin e trotuareve, semaforëve, kamerave të sigurisë, tabelave, stolave dhe zëvendësimin e pemëve të dëmtuara.
Rama paralajmëroi gjithashtu masa ndaj mësuesve që, sipas tij, nxisin nxënësit të dëmtojnë institucionet.
Deklaratat vijnë pas protestës së dhunshme në Tiranë, ku u raportuan dëme materiale në institucione publike, biznese dhe subjekte financiare, si dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të rendit.






Comments