top of page

Qeveria shpërblen vullnetarët, ja sa para mund të fitosh

Oct 22
1 min read

Qeveria do të shpërblejë me deri në 100 mijë lekë vullnetarët që kanë dhënë kontribut të veçantë në komunitet. Këshilli i Ministrave ka miratuar kriteret dhe procedurat për dhënien e çmimeve kombëtare “Vullnetarët e Vitit”, një nismë që synon të vlerësojë angazhimin qytetar dhe kontributin në shërbim të komunitetit. Sipas vendimit, do të jepen dy çmime: një për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatgjatë, me shpërblim prej 100 mijë lekësh, dhe një për kontribut të shquar në veprimtari vullnetare afatshkurtër, me shpërblim prej 50 mijë lekësh.


Çdo vit do të përzgjidhet nga një fitues për secilën kategori. Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet mbi bazën e tri kritereve kryesore. Peshën më të madhe, me 40 pikë, do ta ketë ndikimi dhe kontributi në komunitet. Përkushtimi, qëndrueshmëria dhe vazhdimësia e angazhimit do të vlerësohen me 30 pikë, ndërsa 30 pikët e tjera do të jepen për integritetin dhe respektimin e parimeve etike.


Kandidaturat do të propozohen nga ofruesit e vullnetarizmit dhe duhet të shoqërohen me dokumentacion që dëshmon aktivitetet e zhvilluara dhe arritjet e kandidatit gjatë vitit paraardhës. Afati për paraqitjen e nominimeve është deri më 31 mars të çdo viti. Pas përfundimit të procesit të vlerësimit, që duhet të mbyllet deri më 30 prill, lista e fituesve do të publikohet në faqen zyrtare të institucionit përgjegjës për punësimin dhe aftësitë.


Financimi i çmimeve do të përballohet nga fondet e miratuara në buxhetin vjetor të këtij institucioni. Vendimi parashikon gjithashtu që i njëjti person të mos e fitojë çmimin për dy vite radhazi në të njëjtën kategori.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page