top of page

Qeveria vendos taksë për makinat elektrike, sa do të paguhet në vit

3 days ago
1 min read

Qeveria propozon vendosjen e një takse vjetore prej 15 mijë lekësh për makinat elektrike, të cilat aktualisht përjashtohen nga taksa e mjeteve të përdorura. Masa është pjesë e Paketës Fiskale 2027 dhe, nëse miratohet, pritet të zbatohet nga 1 janari i vitit të ardhshëm.


Sipas projektligjit për ndryshimet në ligjin “Për taksat kombëtare”, taksa për autoveturat elektrike do të jetë fikse, në masën 15.000 lekë në vit, pavarësisht vjetërsisë apo fuqisë së motorit elektrik.


Ndryshe nga automjetet me naftë, benzinë apo gaz, për të cilat taksa vjetore llogaritet në bazë të cilindratës, vjetërsisë dhe llojit të karburantit, për makinat elektrike propozohet një detyrim i njëjtë vjetor.


Projektligji parashikon gjithashtu taksë fikse prej 15.000 lekësh në vit për autobusët elektrikë dhe 1.000 lekë në vit për motomjetet elektrike.


Sipas relacionit të Ministrisë së Financave, nga taksimi i automjeteve elektrike pritet të sigurohen rreth 240 milionë lekë të ardhura në vit për buxhetin e shtetit.


Masa vjen në kuadër të ndryshimeve më të gjera në taksimin e mjeteve të transportit, përmes të cilave qeveria propozon heqjen e taksës së qarkullimit prej 27 lekësh për litër naftë dhe benzinë, por njëkohësisht rritjen e taksës vjetore për automjetet.


Me skemën e re, një pjesë e barrës fiskale zhvendoset nga konsumi i karburanteve drejt pronësisë së automjeteve, duke përfshirë edhe mjetet elektrike që deri më tani përjashtoheshin nga kjo taksë.




Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page