Qeveria miraton dëmshpërblimin për bizneset e dëmtuara gjatë protestave, ja kush përfiton

Qeveria ka miratuar skemën e dëmshpërblimit për bizneset e dëmtuara gjatë protestave të zhvilluara këtë muaj, duke parashikuar mbështetje financiare nga buxheti i shtetit për subjektet që kanë pësuar dëme materiale nga thyerjet, grabitjet dhe zjarret.
Sipas aktit normativ të miratuar nga Këshilli i Ministrave, skema do të përfshijë bizneset me qarkullim vjetor deri në 14 milionë lekë, bazuar në deklaratën vjetore të vitit 2025. Përfitues do të jenë personat fizikë dhe juridikë privatë që ushtrojnë aktivitet ekonomik dhe janë tatimpagues. Niveli i kompensimit do të variojë nga 70% deri në 100% të dëmeve materiale, në varësi të madhësisë së biznesit dhe kritereve të përcaktuara. Për bizneset më të vogla parashikohet mbulimi i plotë i dëmeve, ndërsa për subjektet më të mëdha brenda fashës së përfitimit kompensimi do të jetë të paktën 70%.
Kryeministri Edi Rama e ka prezantuar këtë masë si një mekanizëm për t’u ardhur në ndihmë të menjëhershme bizneseve të prekura, pa i detyruar ato të presin përfundimin e proceseve gjyqësore për të marrë dëmshpërblimin. Sipas tij, subjektet që kanë paraqitur tashmë aplikimet dhe dokumentacionin përkatës pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të mund të përfitojnë përmes kësaj skeme.
Dëmet janë shkaktuar gjatë protestave të zhvilluara në Tiranë në gjysmën e dytë të tetorit, kur disa njësi tregtare pësuan dëmtime materiale. Sipas të dhënave të publikuara nga administrata tatimore më 23 tetor, deri në atë moment ishin identifikuar 127 subjekte të prekura, ndërsa vlera e dëmeve vlerësohej në rreth 2.15 milionë euro. Nga këto biznese, 55 ishin evidentuar përmes verifikimeve në terren, ndërsa 72 të tjera kishin raportuar dëmet përmes shërbimit elektronik “Dëmi im”.
Për të evidentuar dëmet, bizneset kanë në dispozicion shërbimin elektronik “Dëmi im” në portalin e-Albania, ku mund të deklarojnë humbjet e pësuara dhe të bashkëngjisin fotografi e dokumentacion mbështetës. Të dhënat e paraqitura i nënshtrohen verifikimit nga administrata tatimore, në mënyrë që të përcaktohet masa e dëmit dhe kompensimi përkatës.






Comments