top of page

Qeveria kërkon gazetarë, programues, dizajnerë dhe krijues me ide të reja. Si të aplikoni

  • Aug 13
  • 2 min read


Kryeministri Edi Rama njoftoi hapjen e procesit të rekrutimit për individë të talentuar që mund të shërbejnë në sektorin publik. Kjo nevojë për talente të reja vjen në kuadër të mandatit 4 dhe ka si synim përmirësimin e komunikimit mes administratës publike dhe qytetarit. I gjithë procesi do të menaxhohet mes rrjetit MIA e cila ka hapur thirrje për aplikime për profesionistë të fushave të ndryshme.

Thirrja u drejtohet zëdhënësve, gazetarëve, dizajnerëve, programuesve, krijuesve të përmbajtjes, por edhe individëve që kanë një aftësi apo ide konkrete që mund të përmirësojë komunikimin publik.

Aplikantët duhet të dërgojnë në adresën info@mia.gov.al një letër interesi, CV-në dhe një propozim konkret për kontributin e tyre.

Propozimi mund të jetë një ide, projekt, metodë e re pune, format informimi, zgjidhje teknologjike, koncept vizual, përdorim i inteligjencës artificiale apo çdo nismë tjetër që e bën komunikimin publik më të qartë, më të shpejtë, transparent dhe të aksesueshëm.

Në aplikim duhet të specifikohet gjithashtu nëse kandidati dëshiron të konsiderohet për rekrutim pranë strukturave të komunikimit të institucioneve qendrore, për bashkëpunim të jashtëm me Rrjetin MIA, apo për të dyja.

Një tjetër kriter i aplikimit është dërgimi i një videoje jo më të gjatë se 60 sekonda, të realizuar me smartphone, ku kandidati shpjegon qartë idenë e tij.

Sipas thirrjes, përzgjedhja do të bëhet mbi bazën e kritereve të qarta dhe publike. Për kandidatët që synojnë të bëhen pjesë e strukturave të komunikimit, MIA do të zhvillojë procesin e përzgjedhjes dhe rekrutimit në funksion të nevojave të institucioneve qendrore.

Ndërsa për bashkëpunëtorët e jashtëm, propozimet e përzgjedhura mund të zhvillohen më tej dhe të shërbejnë si bazë për marrëveshje konkrete bashkëpunimi.

Afati i aplikimit është deri më 10 shtator 2026, ora 23:00.

Thirrja synon të krijojë një rrjet njerëzish, aftësish, idesh dhe projektesh për një komunikim publik që, sipas MIA-s, duhet të dëgjojë më shumë, të shpjegojë më qartë dhe t’u përgjigjet qytetarëve në kohë.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page