56.4% e punëdhënësve i konsiderojnë të sapodiplomuarit të papërgatitur për punë

Hendeku mes arsimit dhe kërkesave të tregut të punës mbetet një nga sfidat kryesore për bizneset në Shqipëri. Të dhënat e një ankete të zhvilluar nga AmCham Albania me 65 kompani anëtare tregojnë se më shumë se gjysma e punëdhënësve, konkretisht 56.4%, i konsiderojnë të sapodiplomuarit të papërgatitur për t’u integruar në tregun e punës.Vetëm 8% e të anketuarve vlerësojnë se të diplomuarit janë kryesisht ose plotësisht të gatshëm për vendin e punës. Gjetjet u prezantuan në një aktivitet të organizuar nga Komiteti për të Rinjtë, Sipërmarrjen dhe Inovacionin, ku punëdhënës, punëmarrës dhe profesionistë të rinj diskutuan mbi aftësitë që kërkon sot tregu dhe mënyrat për të përgatitur më mirë fuqinë punëtore të së ardhmes. Sipas anketës, sfida kryesore në rekrutim është mungesa e qëndrimit profesional dhe gatishmërisë për punë, e evidentuar nga 56.9% e kompanive. Pas saj renditen pritshmëritë për pagën me 55.4%, mungesa e aftësive teknike me 50.8% dhe dobësitë në të menduarit kritik dhe zgjidhjen e problemeve me 47.7%. Edhe pozicionet drejtuese dhe menaxheriale paraqiten si të vështira për t’u plotësuar, me 40% të kompanive që i rendisin ndër pozicionet më problematike për rekrutim. Një tjetër shqetësim është emigracioni. Mbi 70% e organizatave raportojnë se përballen me një nivel të caktuar të qarkullimit të punonjësve të lidhur me emigracionin. Ndërkohë, 77.5% e të anketuarve thonë se ka pak ose aspak bashkëpunim domethënës mes universiteteve dhe industrisë. Përfaqësuesit e AmCham theksuan nevojën për një bashkëpunim më të ngushtë mes biznesit dhe institucioneve arsimore, në mënyrë që programet e arsimit profesional dhe të arsimit të lartë të reflektojnë më mirë kërkesat e tregut. Në diskutim u nënvizua gjithashtu rëndësia e përgatitjes së të rinjve për ndryshimet teknologjike. Krahas aftësive teknike, gjithnjë e më të kërkuara janë njohuritë mbi inteligjencën artificiale, komunikimi, të menduarit kritik dhe aftësitë për zgjidhjen e problemeve. Mesazhi i aktivitetit ishte se përgatitja e fuqisë punëtore nuk mund të mbetet vetëm përgjegjësi e institucioneve arsimore, por kërkon një lidhje më të drejtpërdrejtë me nevojat e biznesit dhe zhvillimet e tregut të punës.






Comments