top of page

Punimet në autostradë Tiranë-Durrës, hapje graduale në fund të vitit?

  • 6 days ago
  • 2 min read

Punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës kanë hyrë në fazën e tretë, ndërsa autoritetet synojnë që kjo pjesë e projektit të përfundojë para afatit kontraktual, i cili është mauji Prill.  Ministri për Infrastrukturën dhe Energjinë, Enea Karakaçi, inspektoi punimet, ku aktualisht po punohet për zgjerimin e rrugës deri në drejtim të Limuthit. Sipas ministrit, dy fazat e para të projektit kanë përfunduar dhe kanë ndihmuar në përmirësimin e

qarkullimit, ndërsa tashmë fokusi është te segmenti i tretë.


“Zgjerimi i autostradës, faza e tretë, pas dy fazave të përmbushura në mënyrë të suksesshme sepse trafiku është zhbllokuar deri në mbikalimin e Rinasit, tani po punojmë për të përfunduar zgjerimin deri në drejtimin e Limuthit", u shpreh ministri.


Për shkak të ngarkesës së lartë të këtij aksi, autoritetet po shqyrtojnë mundësinë që disa pjesë të përfunduara të hapen gradualisht për qarkullim, pa pritur përfundimin e të gjithë fazës. Ministri Karakaçi tha se kjo mund të ndodhë në fund të vitit ose në fillim të vitit të ardhshëm, me qëllim lehtësimin e trafikut.

“Mund të shohim mundësinë që nga fundi i vitit ose fillimi i vitit të bënim ndonjë hapje graduale, për të shfryrë trafikun", deklaroi Enea Karakaçi.

Edhe pse bëhet fjalë për një gjatësi relativisht të kufizuar, në këtë pjesë të autostradës ka një numër të konsiderueshëm veprash arti, çka e bën ndërhyrjen më komplekse.


Rrethrrotullim i ri te mbikalimi i Rinasit


Gjatë inspektimit u diskutua edhe një problem i ngritur nga banorët dhe bizneset pranë mbikalimit të Rinasit. Sipas projektit aktual, banorët dhe bizneset që duan të ndryshojnë drejtimin e lëvizjes duhet të udhëtojnë deri në Vorë ose në zonën e Casa Italia për të bërë kthimin.  Për këtë arsye, ministri Karakaçi kërkoi që të shqyrtohet mundësia e ndërtimit të një rrethrrotullimi pranë mbikalimit të Rinasit, i cili do t'u mundësonte banorëve dhe bizneseve të zonës një kthim më të lehtë.


Kemi folur që duhet të gjejmë zgjidhje edhe për ndërlidhjen, duke vendosur një rrethrrotullim te mbikalimi i Rinasit. E kanë ngritur si shqetësim banorët ose bizneset, se ashtu siç është projekti, ata duhet të shkojnë deri në Vorë ose te Casa Italia për të bërë kthimin. Duhet t'u bëjmë një rrethrrotullim që të kenë mundësi kthimi. Duhet parë me kujdes, sepse ajo mund të jetë edhe një burim trafiku.”


6 mbikalime të reja për këmbësorët


Pjesë e ndërhyrjeve në autostradën Tiranë-Durrës është edhe ndërtimi i 6 mbikalimeve të reja për këmbësorët. Këto struktura do të kenë gjatësi më të madhe se mbikalimet ekzistuese, për shkak të zgjerimit të autostradës.

Ndërhyrja prek rreth 6 kilometrat e parë të autostradës, ku zgjerimi i trupit të rrugës kërkon përshtatjen edhe të infrastrukturës për këmbësorët. Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës synon të rrisë kapacitetin e një prej akseve më të ngarkuara të vendit dhe të përmirësojë qarkullimin mes Tiranës dhe Durrësit, veçanërisht gjatë muajve të verës, kur trafiku rritet ndjeshëm.

 

 

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page