top of page

Protestat lënë autobusët në park, edhe sot flotë e reduktuar në qarkullim

Oct 17
2 min read

Protestat në Tiranë nuk kanë sjellë vetëm bllokime të rrugëve, por edhe dëmtime të mjeteve të transportit publik. Xhama të thyer dhe autobusë të lyer me bojë kanë detyruar operatorët të tërheqin një pjesë të flotës nga qarkullimi, duke reduktuar kapacitetet e shërbimit për qytetarët. Pas ndërprerjes së përkohshme të transportit publik gjatë ditës së enjte, shërbimi ka rifilluar, por jo me të gjithë autobusët në dispozicion.


Në varësi të zonës dhe linjës, autobusët ofrojnë shërbim pa problem vetëm për pjesën e parë të ditës, pa nisur protestat. Pas drekës, kur nis kaosi, flotat kthehen në park, duke mos ofruar më shërbim.


“Transporti publik ka patur një shkëputje të shërbimit gjatë ditës për shkak të protestave duke qenë se në disa momente janë dëmtuar autobusë, janë thyer xhama, janë zhgaravitur me bojëra të të ndryshme ku ne jemi detyruar pastaj të përheqim flotën e mjeteve dhe t’i dërgojmë drejt parkut. Sot aktualisht transporti publik ka funksionuar. Jo me kapacitet plotë po themi, se ato autobusë të cilët janë dëmtuar kanë nevojë për shërbim, për t’u kolauduar, për t’i parë dhe për t'i vënë në shërbim", tha kreu i Shoqatës së Transportit Urban dhe Interurban, Dashnor Memaj.


Operatorët po ndjekin në vijimësi situatën, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që autobusët të tërhiqen sërish nga qarkullimi nëse do të ketë përplasje apo dëmtime të tjera. Sipas Memajt, vendimmarrja do të varet nga zhvillimet në terren dhe nevoja për të mbrojtur mjetet nga dëmtime të mëtejshme.


“Rrejdhimisht gjatë ditës do e shikojmë për çdo ndodhi, ne duhet të jemi të përgatitur që mos dëmtohen mjetet e t’i tërheqim përsëri në park", shtoi ai.


Përtej ndikimit te qytetarët që përdorin autobusët për lëvizjet e përditshme, situata sjell kosto shtesë për kompanitë e transportit. Pengimi i qarkullimit, tërheqja e mjeteve dhe riparimi i dëmeve rëndojnë aktivitetin e operatorëve, të cilët, sipas kreut të shoqatës, po përballen me vështirësi të vazhdueshme financiare.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page