Protesta e 13 tetorit, dëme në banka dhe biznese në Tiranë, ende pa një faturë financiare

Protesta e 13 tetorit në Tiranë, e shoqëruar me përplasje mes demonstruesve dhe forcave të rendit, ka lënë pas dëme materiale në institucione shtetërore, subjekte financiare dhe infrastrukturën publike. Policia e Tiranës njoftoi arrestimin e 16 personave dhe procedimin penal të 49 të tjerëve, ndërsa gjashtë efektivë mbetën të lënduar. Sipas autoriteteve, gjatë tubimit përpara Ministrisë së Arsimit, grupe protestuesish të maskuar hodhën gurë, kapsolla dhe kokteje molotov, duke shkaktuar dëmtime në disa godina dhe aktivitete ekonomike.
Mes objekteve të dëmtuara janë edhe subjekte të sektorit financiar. Sipas Policisë, janë dëmtuar bankomate, janë thyer dhe djegur sende brenda një institucioni mikrofinanciar, si dhe është dëmtuar fasada prej xhami e një banke të nivelit të dytë. Dëme janë raportuar edhe në godinën e Ministrisë së Arsimit, rrethimet metalike, tabelat e reklamave dhe sinjalistikën rrugore. Ndërkohë, në rrugën “Ded Gjon Luli”, sipas Policisë, është thyer një derë e Bashkisë së Tiranës dhe i është vënë zjarri katit të parë të godinës. Përtej bilancit të incidenteve, mbetet e paqartë fatura financiare që do të duhet të përballohet për riparimin e dëmeve në pronën publike dhe private. Deri më tani, nuk ka një vlerësim zyrtar për vlerën totale të dëmeve, ndërsa pasojat prekin si institucionet shtetërore, ashtu edhe bizneset dhe subjektet financiare që ushtrojnë aktivitet në kryeqytet. Në vijim të hetimeve, Prokuroria e Tiranës po dokumenton veprimet e kundërligjshme. Personat e arrestuar dyshohen për disa vepra penale, mes tyre shkatërrimi i pronës, goditja për shkak të detyrës dhe prishja e rendit publik. Policia njofton se hetimet do të vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në incidentet e 13 tetorit.






Comments