top of page

Policia e Shtetit hap 300 vende pune, ja kriteret dhe dokumentet për aplikim

  • 7 days ago
  • 2 min read

Policia e Shtetit ka hapur aplikimet për 300 vende të lira në funksionet e rolit zbatues “Patrullë e Përgjithshme”. Konkurrimi është i hapur për shtetasit që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe do të zhvillohet mbi bazën e meritës, shanseve të barabarta, transparencës dhe integritetit. Lajmin e ka bërë të ditur Minsitri i Punëve të Brendshme Besfort Lamallari gjatë një postimi në rrjetin e tij social facebook. Sipas njoftimit aplikimet do të jenë të hapura nga 17 gushti deri më 18 shtator 2026, pranë Drejtorive Vendore të Policisë ku aplikanti ka vendbanimin e përhershëm.  Për të konkurruar, kandidatët duhet të jenë shtetas shqiptarë, deri në 30 vjeç, të kenë përfunduar arsimin e mesëm të lartë dhe të plotësojnë kriteret shëndetësore, fizike dhe të integritetit. Gjatësia minimale është përcaktuar në 170 cm për meshkujt dhe 160 cm për femrat. Kandidatët duhet të kenë gjithashtu leje drejtimi të kategorisë “B” dhe të mos jenë të dënuar me vendim gjykate të formës së prerë për vepra penale.


Dokumentet që kërkohen


Aplikantët duhet të dorëzojnë formularin e aplikimit, formularin e vetëdeklarimit dhe atë të dekriminalizimit, fotokopjen e kartës së identitetit, dokumentin që vërteton përfundimin e arsimit të mesëm së bashku me listën e notave të noterizuar, si dhe fotokopjen e lejes së drejtimit. Në dosje duhet të përfshihen edhe certifikata e gjendjes gjyqësore, certifikata familjare, vërtetimet nga gjykata, prokuroria dhe Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, raporti mjekoligjor dhe mandatpagesa e tarifës së aplikimit.

Dokumentacioni do të shqyrtohet nga strukturat e burimeve njerëzore brenda 5 ditëve pune nga dorëzimi. Në rast se dosja është e paplotë, aplikanti do të njoftohet për plotësimin e saj brenda afatit të aplikimit.

Kandidatët që plotësojnë kriteret do të vijojnë fazat e tjera të konkurrimit. Drejtoritë Vendore të Policisë duhet të përcjellin listat e aplikantëve të kualifikuar deri më 22 shtator, ndërsa Komisioni i Pranimit do të shqyrtojë listën përfundimtare brenda 26 shtatorit 2026. Sipas Policisë së Shtetit, rekrutimi synon të afrojë të rinj e të reja që duan të kontribuojnë në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.

 

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page