top of page

Pas viteve të boom-it, turizmi shqiptar përballet me frenimin e parë të fortë

Sep 25
2 min read

Turizmi shqiptar ka vijuar të sjellë miliona vizitorë edhe këtë verë, por ritmi i rritjes është ngadalësuar ndjeshëm në muajin më të rëndësishëm të sezonit. Të dhënat e INSTAT tregojnë se në gusht 2026 hynë në Shqipëri rreth 2.43 milionë shtetas të huaj, vetëm 2% më shumë se në të njëjtin muaj të vitit të kaluar.


Gushti zakonisht është muaji me fluksin më të lartë të turistëve të huaj, ndaj ngadalësimi i këtij viti është më i dukshëm. Në terma absolutë, numri i hyrjeve mbetet në nivele rekord, por ritmi i rritjes është më i ulëti i regjistruar në periudhën pas pandemisë. Për krahasim, hyrjet e shtetasve të huaj në gusht u rritën me 11.2% në vitin 2022, me 18.3% në 2023, me 7.2% në 2024 dhe me 9.9% në 2025. Në gushtin e këtij viti, rritja zbriti në vetëm 2%. Ngadalësimi vjen pas një korriku më pozitiv, kur hyrjet e të huajve u rritën me 7.1% në raport me korrikun e vitit të kaluar.


Në total, gjatë tetë muajve të parë të vitit Shqipëria regjistroi 9.44 milionë hyrje të shtetasve të huaj, nga 8.97 milionë në të njëjtën periudhë të vitit 2025. Rritja kumulative ishte 5.3%. Ecuria mujore ka qenë e ndryshueshme. Viti nisi me një rënie prej 1.5% në janar, ndërsa në shkurt hyrjet mbetën pothuajse në të njëjtin nivel me një vit më parë. Më pas, flukset u rritën me 10.8% në mars, 8.8% në prill dhe 15.9% në maj. Në qershor ritmi ra sërish, në vetëm 1.3%, ndërsa në korrik u rikuperua në 7.1%. Gushti solli një tjetër ngadalësim, duke e çuar rritjen në vetëm 2%.


Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë gushtit në territorin shqiptar hynë gjithsej 3,459,588 shtetas shqiptarë dhe të huaj, 2.7% më shumë se në gushtin e vitit 2025. Prej tyre, 1,030,056 ishin shtetas shqiptarë, me rritje 4.4%, ndërsa hyrjet e shtetasve të huaj arritën në 2,429,532, me rritje 2%.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page