Treni drejt rikthimit, ja afati për linjën Tiranë-Durrës-Rinas

Lidhja hekurudhore mes Tiranës, Durrësit dhe aeroportit të Rinasit synohet të jetë funksionale gjatë vitit 2027. Objektivi është bërë publik nga zv.ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Enkelejda Muçaj, e cila ka deklaruar gjatë një interviste se projektet hekurudhore po avancojnë edhe në aspektin e procedurave të kontraktimit. Sipas Muçajt, viti 2027 pritet ta gjejë vendin me linjën Tiranë-Durrës dhe lidhjen hekurudhore me aeroportin e Tiranës të rehabilituar dhe në funksion.
"2030-a për ne, për pjesën e projekteve siç është Tiranë-Durrësi dhe lidhja me aeroportin e Tiranës, patjetër që është një realitet dhe ne shpresojmë që 2027-a të na gjejë me një linjë hekurudhore të rehabilituar. Ndërkohë për segmentet shtesë, pra për 4 km për kthimin e stacionit të trenit në Tiranë, ka një segmentim po themi. Por që Tiranë-Durrësi dhe lidhjen me aeroportin, brenda 2027-ës urojmë ta kemi në funksionim, përveç elementeve të paparashikuar që nuk i shohim për momentin. Ndërkohë ka një progres të jashtëzakonshëm në kuptimin e kontraktimit, të gjitha procedurave të brendshme", tha ajo.
Ndërkohë, zgjerimi i rrjetit hekurudhor do të vijojë edhe me dy projekte të tjera. Për linjën Vorë-Hani i Hotit dhe segmentin Durrës-Rrogozhinë, objektivi i vendosur nga Ministria është përfundimi brenda vitit 2030.
Muçaj tha se për këto projekte ekziston një parashikueshmëri për përfundimin deri në vitin 2030, ndërsa afatet do të varen edhe nga ecuria teknike e punimeve.
Për segmentin Durrës-Rrogozhinë, sipas zv.ministres, ekziston një planifikim drejt vitit 2030, ndërsa për Vorë-Hani i Hotit synohet që implementimi të vijojë pa pengesa të rëndësishme. Një tjetër pjesë e projektit lidhet me rikthimin e stacionit të trenit në Tiranë. Sipas Muçajt, për këtë ndërhyrje po punohet me një segmentim të veçantë, ndërsa prioriteti për vitin 2027 mbetet funksionalizimi i lidhjes Tiranë-Durrës dhe aeroportit. Projektet hekurudhore janë lidhur edhe me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian. Zv.ministrja bëri të ditur se Ministria e Infrastrukturës synon që Kapitulli 14, që lidhet me politikën e transportit, të mbyllet nga pikëpamja teknike për Shqipërinë brenda marsit të vitit 2027.






Comments