Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve, nga formula e vjetër te skema e re që po propozohet

Pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve rikthehen në tryezën e Kuvendit, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që rrëzoi formulën e përcaktuar në vitin 2023. Komisionet parlamentare kanë nisur diskutimin e ndryshimeve në ligjin që përcakton pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Por si nisi përplasja për mënyrën e përcaktimit të pagave të magjistratëve?
Deri në vitin 2023, paga e gjyqtarëve dhe prokurorëve lidhej drejtpërdrejt me pagën referuese të drejtorëve të departamenteve në Kryeministri. Mbi këtë pagë aplikohej një shtesë prej 90% për gjyqtarët dhe prokurorët e shkallës së parë, 98% për ata të apelit dhe 106% për magjistratët e SPAK dhe prokurorët e Prokurorisë së Përgjithshme. Në terma konkretë, nëse paga referuese ishte 100 mijë lekë, një gjyqtar apo prokuror i shkallës së parë përfitonte edhe 90 mijë lekë shtesë, ndërsa për magjistratët e apelit dhe SPAK shtesat ishin përkatësisht 98 mijë dhe 106 mijë lekë. Problemi u shfaq në vitin 2023, kur reforma e pagave në administratën publike rriti ndjeshëm pagën e drejtuesve të departamenteve në Kryeministri. Nëse kjo pagë do të vijonte të shërbente si referencë për magjistratët, rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve do të ishte shumë e madhe, për shkak të shtesave që aplikohen mbi pagën referuese. Për këtë arsye, Kuvendi ndryshoi formulën. Në vitin 2023, paga referuese për magjistratët u përcaktua në masën 36% të pagës së Presidentit të Republikës. Me pagën aktuale të Presidentit prej 425 mijë lekësh, paga referuese llogaritet rreth 153 mijë lekë. Mbi këtë shumë aplikohen shtesat prej 90% deri në 106%, në varësi të nivelit të gjyqësorit, duke e çuar pagën në rreth 250 mijë deri në 310 mijë lekë. Në skemë përfshihet edhe një rritje prej 2% për çdo vit pune, deri në një maksimum prej 25 vitesh, si dhe indeksimi sipas inflacionit vjetor të përcaktuar nga Banka e Shqipërisë.
Por pikërisht kjo formulë u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në shkurt, duke detyruar Kuvendin të ndërhyjë sërish në ligj. Tashmë, deputetët e Partisë Socialiste, Aulona Bylykbashi dhe Admir Kadeli, kanë depozituar propozimet e reja. Formula e re parashikon rritjen e pagës referuese nga 36% në 38% të pagës së Presidentit, që përkthehet në rreth 161 mijë lekë. Ndërkohë, propozimi nuk ndryshon shtesat prej 90%, 98% dhe 106% që aplikohen sipas nivelit të magjistratëve. Ndryshimi tjetër i rëndësishëm lidhet me pagesën për vështirësi në punë për gjyqtarët dhe prokurorët e SPAK. Kjo pagesë propozohet të rritet nga 60% në 80%.
Kështu, pas rrëzimit të formulës së vitit 2023 nga Gjykata Kushtetuese, Kuvendi po diskuton një skemë të re që synon të përcaktojë pagat e magjistratëve dhe mënyrën e kompensimit të tyre sipas funksionit dhe vështirësisë së punës.






Comments