Pacolli fton qeverinë, 6 muaj afat për dialog, në të kundërt shihemi në arbitrazh

Teksa qeveria ka nisur procedurat për të anuluar koncesionin e Aeroportit të Vlorës, një reagim vjen nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Ai ka denoncuar se kompania e tij MABCO, e cila zotëron 98% të kuotave të shoqërisë Vlora Internacion Aeroport, është penguar që prej vitit të kaluar të ushtrojë të drejtat e saj si aksionere dhe të marrë pjesë në vendimmarrjen e kompanisë. Sipas Pacollit, kjo situatë ka ndikuar edhe në bllokimin e punimeve për Aeroportin e Vlorës. Në një postim në Facebook, ai bën me dije se, pas shterimit të përpjekjeve për gjetjen e një zgjidhjeje përmes dialogut, MABCO u ka dërguar autoriteteve shqiptare një “Notice of Dispute”, në përputhje me Marrëveshjen Bilaterale ndërmjet Shqipërisë dhe Zvicrës për nxitjen dhe mbrojtjen reciproke të investimeve. Pacolli thekson se, pas këtij njoftimi, palët kanë një periudhë gjashtëmujore për të zgjidhur mosmarrëveshjen përmes dialogut, përpara se çështja të mund të kalojë në arbitrazh.
“Ne kemi bërë përpjekje të vazhdueshme për gjetjen e një zgjidhjeje, por nuk kemi marrë një përgjigje”, shkruan Pacolli. Ai shton se MABCO do të respektojë periudhën gjashtëmujore, duke shpresuar që autoritetet shqiptare të angazhohen në mënyrë konstruktive për zgjidhjen e konfliktit dhe shmangien e arbitrazhit ndërkombëtar. “MABCO mbetet e gatshme për dialog dhe për një zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme. Megjithatë, mundësia për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të kësaj mosmarrëveshjeje varet tashmë nga gatishmëria dhe vullneti i autoriteteve të Republikës së Shqipërisë për t’u angazhuar në mënyrë konstruktive në këtë proces”, thekson Pacolli. Reagimi i tij vjen në një moment kur e ardhmja e projektit të Aeroportit të Vlorës mbetet në qendër të një përplasjeje mes investitorit dhe autoriteteve shqiptare.






Comments