Pa kolateral, bizneset e vogla mund të kenë akses në kredi përmes skemës së garancisë

Mungesa e kolateralit është një nga pengesat që hasin bizneset e vogla kur kërkojnë financim bankar. Një marrëveshje e re mes Fondacionit Shqiptar të Garancive për Zhvillim (ADGF) dhe ABI Bank synon të lehtësojë këtë problem, duke u krijuar mundësi financimi bizneseve mikro dhe të vogla që plotësojnë kriteret e përfitimit.
Nëpërmjet marrëveshjes, ADGF do të ofrojë garanci kredie për financimet e dhëna nga ABI Bank. Garancia mbulon një pjesë të riskut të kreditimit dhe synon të ndihmojë sipërmarrjet që kanë kapacitet për të shlyer kredinë, por nuk kanë kolateralin e nevojshëm për të garantuar huanë. Skema synon t’u japë bizneseve mundësi të financojnë investime, të zgjerojnë aktivitetin dhe të rrisin kapacitetet e tyre.
“Përmes këtij partneriteti me ABI Bank, synojmë ta bëjmë financimin më të arritshëm për më shumë biznese mikro dhe të vogla. Roli ynë është të ndihmojmë ndërmarrjet e qëndrueshme të kapërcejnë pengesat që lidhen me kolateralin, në mënyrë që të investojnë, të rriten dhe të kontribuojnë në punësim dhe në zhvillimin ekonomik lokal”, u shpreh Gertjana Drita, Drejtoreshë Ekzekutive e ADGF.
Marrëveshja vijon bashkëpunimin shumëvjeçar të ADGF me NOA dhe e zgjeron atë përmes ABI Bank, me fokus te nevojat financiare të bizneseve më të vogla. Sipas ADGF, ndërmarrjet mikro dhe të vogla kanë një rol të rëndësishëm në punësim dhe zhvillimin ekonomik lokal, por për shumë prej tyre aksesi në financim vijon të jetë i kufizuar, edhe kur kanë plane biznesi të realizueshme. Fondacioni Shqiptar i Garancive për Zhvillim është krijuar në vitin 2015 dhe financohet nga fondet e Bashkimit Europian. Përmes instrumenteve të garancisë, ADGF thotë se ka mbështetur më shumë se 30,700 përfitues dhe ka garantuar mbi 232 milionë euro kredi.






Comments