Nisma/ Zgjatet deri në 2027 afati për titujt e pronësisë së tokës bujqësore
- Jul 20
- 2 min read

Një projektligj i ri i depozituar në Kuvend synon të zhbllokojë një pjesë të proceseve të mbetura të pronësisë mbi tokën bujqësore, duke u dhënë qytetarëve më shumë kohë për t'u pajisur me Aktin e Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP) dhe duke fuqizuar bashkitë në mbrojtjen e tokës nga zëniet e paligjshme.
Nisma, e propozuar nga deputeti Vullnet Sinaj, parashikon ndryshime në ligjin nr. 20/2020, duke shtyrë afatin e aplikimit për pajisjen me AMTP deri më 31 dhjetor 2027. Aktualisht, ligji parashikon një afat gjashtëmujor, i cili përfundoi në nëntor të vitit 2020.
Sipas relacionit shoqërues, mijëra përfitues të ligjshëm nuk arritën të aplikonin brenda afatit për shkak të mungesës së informacionit ose sepse jetonin jashtë vendit. Zgjatja e afatit synon të shmangë humbjen e së drejtës së pronësisë dhe të përshpejtojë mbylljen e një procesi që prej vitesh mbetet i papërfunduar. Projektligji sjell edhe një tjetër ndryshim me ndikim në administrimin e tokës bujqësore. Për herë të parë, bashkive u jepen kompetenca të qarta për të ndërhyrë ndaj zaptimit të paligjshëm të tokës, rrugëve të kalimit dhe kanaleve ujitëse e vaditëse. Kryetarët e bashkive do të mund të urdhërojnë lirimin e këtyre sipërfaqeve brenda 15 ditëve, ndërsa në rast moszbatimi, ndërhyrja do të kryhet nga strukturat e bashkisë, me shpenzimet që do të mbulohen nga shkelësi. Sipas propozuesit, ndryshimet synojnë të reduktojnë konfliktet mbi pronën, të shmangin procedurat e gjata gjyqësore dhe të krijojnë një mekanizëm më efikas për mbrojtjen dhe administrimin e tokës bujqësore. Në planin ekonomik, përfundimi i proceseve të pronësisë pritet të rrisë sigurinë juridike mbi tokën, të lehtësojë investimet në bujqësi dhe të krijojë më shumë mundësi për përdorimin e pronës si aset në financim apo zhvillim ekonomik. Këto ndryshime ligjore vijnë në një moment kur mazhoranca po zbaton nismën Paketa e Maleve, ku individë të ndryshëm mund të investojnë në pronat e të parëve të të tyre, edhe nëse pronën nuk e kanë me letra.






Comments