top of page

Nga sulmi i vitit 2022 në vendin e parë në botë, Shqipëria kryeson për sigurinë kibernetike

  • Aug 11
  • 2 min read

Shqipëria është renditur e para në botë në National Cyber Security Index (NCSI), duke arritur 98.33 pikë, një zhvillim që konsiderohet historik për kapacitetet kombëtare të sigurisë kibernetike. Ky rezultat vjen katër vite pas sulmit kibernetik të 15 korrikut 2022, kur infrastruktura digjitale e institucioneve shqiptare u godit nga një sulm i lidhur me regjimin iranian. Sulmi ekspozoi dobësitë e mbrojtjes kibernetike dhe rrezikoi funksionimin e një sërë shërbimesh publike online. Pas këtij episodi, qeveria nisi një program të gjerë për forcimin e mbrojtjes së shtetit digjital. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria në 2023 u rendit në vendin e 54-t, në 2025 u ngjit në vendin e 15-të, ndërsa në 2026 kryeson renditjen globale të NCSI. Lajmin e bëri të ditur kryeministri gjatë një postimi në rrjetin e tij facebook.


"Ai sulm mund të na kishte kthyer mbrapa në epokën e sporteleve dhe radhëve të pafundme, duke na hedhur në lumë qindra miliona euro të investuara ndër vite në Shqipërinë Digjitale, sepse mbrojtja jonë kibernetike ishte ende e dobët. Por edhe falë partnerëve tanë, rezistuam dhe nuk na gjunjëzuan Përkundrazi, ai sulm u bë pikënisja e një kthese epokale. Vendosëm të ndërtonim një mur të atillë mbrojtës për shtetin digjital të Shqipërisë, që të ishte e pamundur të shembeshin me një sulm të ngjashëm infrastrukturat e tij publike dhe, po, siç edhe e kam thënë asokohe kur shumëkush u tall me fjalët e mia, të kalonim nga grupi i shteteve me mbrojtje të dobët, në grupin e shteteve me mbrojtje shembullore"-shkruan kryeministri në facebook. Sipas Ramës regjimi i Teheranit na detyroi të bëhemi fuqia që jemi sot në mbrojtjen e Shqipërisë Digjitale.


Forcimi i arkitekturës së re të mbrojtjes kibernetike është realizuar në bashkëpunim me partnerë ndërkombëtarë dhe ka përfshirë ngritjen e kapaciteteve profesionale, sistemeve të avancuara të monitorimit dhe përdorimin e modeleve proaktive të inteligjencës artificiale për parandalimin e sulmeve. Ekspertët e konsiderojnë këtë një shembull të mënyrës se si vendet e vogla mund të bëjnë “leapfrog” teknologjik, duke kapërcyer faza të tëra zhvillimi dhe duke ndërtuar standarde të krahasueshme me ekonomitë më të avancuara.  Megjithatë, autoritetet theksojnë se sfida mbetet e vazhdueshme, pasi kërcënimet kibernetike evoluojnë me shpejtësi dhe mbrojtja duhet të zgjerohet edhe në sektorin privat, i cili konsiderohet hallkë kritike për sigurinë e ekonomisë digjitale shqiptare.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page