Ndryshon tatimi mbi pagat, çfarë propozohet në Paketën Fiskale 2027

Paketa Fiskale për vitin 2027 parashikon ndryshime në mënyrën e tatimit të të ardhurave nga punësimi, duke rishikuar pragjet e fashave tatimore dhe duke vendosur një normë të re për individët me paga të larta. Sipas propozimit, punonjësit me paga bruto deri në 300 mijë lekë në muaj do të përfshihen në fashën që tatohet me normën 13%, ndërsa norma 23% do të zbatohet për pagat nga 300 001 lekë deri në 700 mijë lekë në muaj. Për të ardhurat nga pagat mbi 700 mijë lekë në muaj parashikohet një shkallë e tretë tatimore, me normë marxhinale 32%.
Ndryshimi kryesor lidhet me rritjen e pragut nga i cili nis aplikimi i normës 23%. Aktualisht, kjo normë zbatohet për pjesën e të ardhurave të tatueshme që kalon pragun vjetor prej 2.04 milionë lekësh, që përkthehet në një pagë bruto mujore mbi 200 mijë lekë, duke marrë parasysh zbritjen bazë tatimore. Me skemën e propozuar, pragu vjetor i bazës tatimore për fashën 13% rritet në 3.24 milionë lekë, duke e zhvendosur kufirin e pagës bruto mujore në 300 mijë lekë.
Sipas relacionit shoqërues të Ministrisë së Financave, rishikimi i formulës dhe i shkallëve progresive të tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi synon të lehtësojë barrën për shtresën e mesme dhe profesionistët e kualifikuar. Në të njëjtën kohë, vendosja e normës 32% për pagat më të larta synon që kontributi tatimor të jetë më i lidhur me aftësinë paguese të individëve.
Në skemën aktuale, të ardhurat e tatueshme nga punësimi ndahen në dy nivele: norma 13% për bazën tatimore vjetore deri në 2.04 milionë lekë dhe norma 23% për pjesën që tejkalon këtë kufi.
Këto kufij korrespondojnë, sipas formulës së parashikuar në relacion, me paga bruto mujore deri në 300 mijë lekë, nga 300 001 deri në 700 mijë lekë dhe mbi 700 mijë lekë.
Sistemi aktual parashikon zbritje nga baza tatimore sipas nivelit të të ardhurave. Për individët me të ardhura vjetore deri në 600 mijë lekë, zbritja bazë është 600 mijë lekë; për të ardhurat mbi 600 mijë deri në 720 mijë lekë, zbritja është 420 mijë lekë; ndërsa për të ardhurat mbi 720 mijë lekë, zbritja është 360 mijë lekë në vit.
Ligji parashikon gjithashtu një zbritje prej 48 mijë lekësh në vit për çdo fëmijë në ngarkim nën 18 vjeç. Në relacionin e paketës fiskale, ndryshimi i pragjeve paraqitet si pjesë e rishikimit të strukturës progresive të tatimit mbi të ardhurat personale nga punësimi. Synimi është lehtësimi i tatimit për një pjesë të punonjësve me të ardhura të mesme, ndërsa për pagat më të larta propozohet një shkallë shtesë.






Comments