top of page

Ndryshimi që prek mijëra biznese, pragu i TVSH-së ulet me 50%

4 days ago
2 min read

Paketa fiskale për vitin 2027 parashikon një sërë ndryshimesh në sistemin e taksave, që prekin drejtpërdrejt kompanitë private, bizneset e vogla, sektorin e turizmit dhe aktivitetet tregtare. Ndër masat kryesore janë rritja e tatimit mbi fitimin e korporatave nga 15% në 17%, rritja e tatimit mbi dividentin nga 8% në 15%, si dhe e normës standarde të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar nga 20% në 21%. Paralelisht, propozohet ulja e pragut të regjistrimit të detyrueshëm në TVSH nga 10 milionë në 5 milionë lekë xhiro vjetore, duke përfshirë në skemë mijëra subjekte të tjera.


Aktualisht, bizneset që realizojnë mbi 10 milionë lekë qarkullim në vit janë të detyruara të regjistrohen në skemën e TVSH-së. Për subjektet me qarkullim mbi 5 milionë lekë, regjistrimi është aktualisht vullnetar, në përputhje me kushtet e përcaktuara në legjislacionin në fuqi. Me propozimin e ri, kufiri prej 5 milionë lekësh do të bëhet pragu i regjistrimit të detyrueshëm.


Përllogaritjet e paraqitura në dokumentin shoqërues parashikojnë që ndryshimi të sjellë rreth 4,5 miliardë lekë të ardhura shtesë nga TVSH-ja. Efekti lidhet me zgjerimin e numrit të subjekteve të regjistruara dhe përfshirjen e më shumë transaksioneve në skemën e tatimit.


Një tjetër ndryshim me ndikim të gjerë është rritja e TVSH-së standarde nga 20% në 21%. Masa mund të ndikojë në çmimet përfundimtare të mallrave dhe shërbimeve, në varësi të mënyrës se si bizneset e përthithin ose ia kalojnë konsumatorit koston shtesë.


Ndryshime parashikohen edhe për turizmin. TVSH-ja për akomodimin turistik propozohet të rritet nga 6% në 10%, një masë që ka nxitur shqetësime te përfaqësuesit e sektorit, veçanërisht për kontratat e sezonit të ardhshëm dhe konkurrueshmërinë e strukturave akomoduese.


Masat pritet t’i sjellin buxhetit të shtetit rreth 14 miliardë lekë të ardhura neto shtesë gjatë vitit 2027.

Propozimet kanë sjellë reagime nga organizatat e biznesit. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë ka kërkuar pezullimin e rritjes së taksave dhe hapjen e konsultimeve me sipërmarrjen, duke argumentuar se ndryshimet mund të rrisin kostot, të kufizojnë fondet për investime dhe të ushtrojnë presion mbi çmimet. Shqetësime janë ngritur edhe për uljen e pragut të TVSH-së, që sipas përfaqësuesve të biznesit mund të shtojë barrën për subjektet e vogla, si dhe për rritjen e TVSH-së në turizëm.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page