Më në fund edhe rruga dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës do të rehabilitohet
- Jun 17
- 1 min read

Më në fund edhe rruga dytësore përgjatë autostradës Tiranë-Durrës do të rehabilitohet. Pas ndërhyrjes në 6 kilometrat e para të autostradës, duket se punimet do të zgjerohen edhe në në rrugën dytësore, e cila është në gjëndje të degraduar. Bashkia e Tiranës ka hapur garën për rikonstruksionin e aksit dytësor Tiranë-Durrës, nga rrethrrotullimi pranë spitalit Hygea deri te mbikalimi i Rinasit, me një fond limit prej rreth 595 milionë lekësh. Projekti përfshin rehabilitimin e një segmenti rrugor prej 6.8 kilometrash, me ndërtimin e shtresave të reja rrugore, trotuareve, ndriçimit, kanalizimeve të ujërave të bardha, gjelbërimit dhe sinjalistikës.
Sipas dokumenteve të tenderit, ndërhyrja synon të përmirësojë qarkullimin dhe sigurinë rrugore në një zonë me aktivitet të lartë ekonomik dhe banim në rritje. Aksi shërben si rrugë alternative për hyrje-daljet nga Tirana, veçanërisht gjatë periudhave me trafik të rënduar, ndërsa garanton akses për biznese, zona industriale dhe disa fshatra të njësisë administrative Kashar.
Investimi vjen si përgjigje ndaj problematikave të evidentuara në terren, përfshirë dëmtimet e asfaltit, mungesën e infrastrukturës moderne për këmbësorët dhe nevojën për përmirësimin e sistemit të kanalizimeve. Projekti pritet të kontribuojë në lehtësimin e trafikut, rritjen e sigurisë dhe zhvillimin urban të kësaj zone strategjike të kryeqytetit.






Comments