top of page

Mbrojtja e konsumatorit, qeveria propozon agjenci të re: Do të hetojë shkeljet dhe do të marrë masa ndaj bizneseve

Oct 14
2 min read

Nëse ka një nga hallkat që nuk ka funksionuar ndër vite, ajo është mbrotja e konsumatorit. Një shkelje nga autoritetet, një mashtrim, një dëm i shkaktuar, në shumicën e rasteve nuk ka gjetur zgjidhje duke i lënë kryesisht qytetarët në mëshirë të fatit. Por më në fund qeveria shqiptare ka depozituar në Kuvend projektligjin e ri “Për mbrojtjen e konsumatorit”, i cili parashikon krijimin e një institucioni qendror përgjegjës për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve në treg. Agjencia Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit (AKMK) synon të koordinojë kontrollet, të hetojë shkeljet dhe të marrë masa ndaj operatorëve ekonomikë që cenojnë interesat e konsumatorëve.  Sipas projektligjit, AKMK-ja do të jetë autoriteti përgjegjës dhe zyra e vetme e koordinimit për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorëve në treg. Krijimi i saj synon të adresojë mungesën e një strukture qendrore me përgjegjësi të qarta për këtë fushë. Agjencia do të monitorojë zbatimin e legjislacionit për mbrojtjen e konsumatorit, ndërsa do të ketë kompetenca për të kontrolluar dhe mbikëqyrur tregun e produkteve joushqimore dhe sektorët e shërbimeve, me përjashtim të atyre që janë nën juridiksionin e autoriteteve të tjera kompetente. Një tjetër kompetencë e parashikuar është hetimi i shkeljeve, qoftë me nismën e vetë agjencisë, qoftë në bazë të ankesave të konsumatorëve. Në rastet kur konstatohen shkelje, AKMK-ja mund të urdhërojë me shkrim ndërprerjen e tyre dhe të marrë masa për ndalimin e praktikave që cenojnë të drejtat dhe interesat e qytetarëve. Gjithashtu, ajo do të mbikëqyrë zbatimin e vendimeve nga operatorët ekonomikë. Projektligji i jep agjencisë edhe një rol koordinues mes institucioneve publike dhe autoriteteve kompetente shqiptare apo të huaja, për të siguruar hetime më efektive dhe për të mundësuar ndalimin e shkeljeve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi. AKMK-ja do të ketë gjithashtu detyrën të zhvillojë procedurat për zgjidhjen alternative të mosmarrëveshjeve mes konsumatorëve dhe operatorëve ekonomikë. Për çështjet që prekin interesat kolektive të konsumatorëve, ajo do të marrë vendime bazuar në gjetjet dhe përfundimet e komisionit të posaçëm për mbrojtjen e konsumatorit.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page