Malaj mbledh administratat tatimore dhe doganore, kërkon “dorë të fortë” ndaj evazionit

Ministri i Financave, Petrit Malaj, ka zhvilluar takime me drejtuesit rajonalë të administratës tatimore dhe doganore, ku në qendër të diskutimeve kanë qenë objektivat për periudhën në vijim, lufta kundër evazionit fiskal dhe informalitetit, si dhe përmirësimi i shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Takimet u zhvilluan në prani të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve dhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave. Gjatë tyre u diskutuan prioritetet e dy administratave dhe nevoja për rritjen e standardeve të punës, veçanërisht në marrëdhëniet me tatimpaguesit dhe subjektet ekonomike.
Ministri Malaj nënvizoi se forcimi i kontrolleve dhe rritja e të ardhurave në arkën e shtetit duhet të ecin paralelisht me profesionalizmin, korrektësinë dhe respektin ndaj qytetarëve dhe bizneseve.
Sipas tij, lufta ndaj evazionit fiskal dhe informalitetit nuk duhet të krijojë një administratë që largohet nga standardet e sjelljes së duhur ndaj qytetarëve. Përkundrazi, çdo proces kontrolli dhe mbledhjeje të të ardhurave duhet të zhvillohet në përputhje me ligjin, me transparencë dhe në mënyrë të drejtë.
Në takime, Malaj u ndal edhe te koncepti i “Besës”, të cilin e cilësoi si kontratën politike që Kryeministri Edi Rama dhe qeveria propozojnë për qytetarët, me synim rikthimin e besimit përmes një shteti më të dëgjueshëm dhe më të matshëm.
“Besa” u vendos kështu në kontekstin e nevojës për një administratë publike që jo vetëm mbledh të ardhurat dhe zbaton ligjin, por edhe i shërben qytetarit në mënyrë të përgjegjshme dhe transparente. Në përfundim të takimeve, ministri i Financave kërkoi që shërbimet më cilësore, transparenca dhe korrektësia të mbeten në qendër të punës së administratës tatimore dhe doganore.
Objektivi, sipas Malajt, është një administratë më efikase dhe më e përgjegjshme, e cila forcon kontrollin ndaj shkeljeve dhe informalitetit, por njëkohësisht ruan një marrëdhënie korrekte dhe transparente me qytetarët, bizneset dhe tatimpaguesit.






Comments