Makina për skrap pa pagesë, ja kur pronari mund të detyrohet të paguajë

Pronarët e automjeteve që kanë përfunduar ciklin e përdorimit do të mund t’i dorëzojnë ato pa pagesë për shkatërrim dhe riciklim, sipas një projektvendimi të ri të qeverisë. Financimi i procesit do të mbështetet te kompanitë që prodhojnë ose importojnë automjete për qëllime tregtare, ndërsa parashikohen përjashtime kur makina është e paplotë ose përmban mbetje të tjera.
Nisma e përgatitur nga Ministria e Mjedisit dhe Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë synon të ndryshojë mënyrën e administrimit të automjeteve jashtë përdorimit, duke përcaktuar rregulla të reja për dorëzimin, çmontimin, riciklimin dhe çregjistrimin e tyre përfundimtar.
Sipas projektvendimit, operatorët e autorizuar do të kenë detyrimin të marrin në dorëzim automjetet pa i ngarkuar pronarit kosto për këtë shërbim, edhe kur makina nuk ka më vlerë në treg. Rregulli synon të shmangë braktisjen e mjeteve dhe të nxisë trajtimin e tyre në përputhje me standardet mjedisore.
Megjithatë, falas nuk do të thotë në çdo rast. Pronari mund të përballet me pagesë nëse automjetit i mungojnë pjesë thelbësore, si motori ose karroceria, apo nëse brenda tij janë hedhur mbetje që nuk lidhen me vetë makinën. Në këto rrethana, operatori mund të kërkojë mbulimin e shpenzimeve të trajtimit.
Detyrimi financiar do të përqendrohet te subjektet që prodhojnë ose importojnë automjete në kuadër të aktivitetit të tyre tregtar. Projektvendimi e përkufizon prodhuesin në mënyrë të tillë që të përfshijë edhe importuesit profesionistë, duke i bërë ata pjesë të skemës së financimit të menaxhimit të automjeteve në fund të jetës.
Ndryshe paraqitet situata për qytetarët që blejnë një makinë jashtë vendit për përdorim personal. Dokumenti nuk parashikon një tarifë të re për individët vetëm për faktin se importojnë automjetin e tyre. Megjithatë, kjo nuk i përjashton nga taksat dhe detyrimet e tjera që mund të zbatohen për importin dhe regjistrimin.
Projektvendimi nuk përcakton një shumë fikse që kompanitë duhet të paguajnë për çdo automjet. Sipas relacionit shoqërues të Ministrisë së Mjedisit, mënyra e përllogaritjes dhe mbulimit të kostove do të përcaktohet nga rregullat ekzistuese për përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit. Gjithashtu, dokumenti nuk përcakton një prag të qartë për numrin e automjeteve që duhet të importojë një subjekt për t’u konsideruar importues profesionist.
Ndryshime do të ketë edhe për procedurën e çregjistrimit përfundimtar. Automjetet jashtë përdorimit duhet të dërgohen te operatorët e autorizuar, ndërsa pronarët do të duhet të paraqesin dokumentet që vërtetojnë pronësinë ose të drejtën për të disponuar mjetin, përveç rasteve të veçanta të parashikuara në projektvendim.
Pas trajtimit të automjetit, operatori do të lëshojë certifikatën e shkatërrimit, dokument i domosdoshëm për heqjen përfundimtare të makinës nga regjistri i mjeteve rrugore. Certifikata do të identifikohet përmes një kodi serial unik të lëshuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit. Për lëshimin e saj, operatori nuk do të ketë të drejtë të kërkojë rimbursim financiar.
Për automjetet e braktisura në hapësira publike apo në territorin e bashkive, përgjegjësia për identifikimin dhe largimin do t’u takojë njësive të qeverisjes vendore, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit. Para se mjetet të dërgohen për shkatërrim, do të verifikohen pronësia dhe statusi i tyre ligjor, ndërsa pronarët do të njoftohen sipas procedurave përkatëse.
Projektvendimi vendos kërkesa të reja edhe për bizneset që grumbullojnë, çmontojnë dhe trajtojnë automjetet e dala jashtë përdorimit. Operatorët duhet të sigurojnë kushte të përshtatshme për ruajtjen e mjeteve, të largojnë në mënyrë të kontrolluar vajrat, karburantet dhe lëngjet e rrezikshme, si dhe të ndajnë pjesët që mund të ripërdoren ose riciklohen.
Subjektet që ushtrojnë aktualisht këtë veprimtari do të kenë 18 muaj kohë nga hyrja në fuqi e vendimit për të përshtatur ambientet dhe proceset e punës me kërkesat teknike e mjedisore. Afati synon t’u japë bizneseve kohën e nevojshme për të përmbushur standardet e reja.
Rregullat e propozuara përcaktojnë edhe objektiva konkrete për rikuperimin e materialeve nga automjetet e vjetra. Duke filluar nga 1 janari 2028, të paktën 85% e peshës mesatare të automjeteve jashtë përdorimit duhet të ripërdoret ose të rikuperohet, ndërsa 80% duhet të ripërdoret ose riciklohet.






Comments