top of page

Lajm i rëndësishëm për të huajt që punojnë në Shqipëri, çfarë ndryshon?

  • 6 days ago
  • 2 min read

Procedurat për shtetasit e huaj që duan të punojnë në Shqipëri pritet të zhvillohen më shpejt, pas ndryshimeve të reja në mënyrën se si trajtohen kërkesat për miratimin e punësimit. Një udhëzim i përbashkët i Ministrisë së Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme sjell një afat të ri për shqyrtimin e aplikimeve nga Agjencia Kombëtare e Punësimit dhe Aftësive. Sipas rregullave të reja, AKPA duhet të japë qëndrimin e saj në sistemin elektronik brenda një dite pune nga momenti kur ka në dispozicion aplikimin dhe dokumentacionin përkatës. Përgjigjja mund të jetë miratim, kërkesë për plotësimin e dokumenteve ose refuzim.

Ky ndryshim shkurton ndjeshëm kohën administrative krahasuar me procedurën e mëparshme, ku institucioni kishte në dispozicion deri në 10 ditë pune për të dhënë përgjigje.


Kush përfshihet në procedurën e re?


Ndryshimet nuk lidhen vetëm me afatin e shqyrtimit. Lista e kategorive të shtetasve të huaj që kalojnë në këtë procedurë është zgjeruar. Në të përfshihen punëmarrësit, personat që ushtrojnë aktivitet si të vetëpunësuar, punonjësit ndërkufitarë, individët që ndjekin formim profesional, punëtorët e shtëpisë, punonjësit sezonalë, të transferuarit brenda një kompanie, profesionistët me kualifikim të lartë, vullnetarët, sportistët dhe personat që ofrojnë shërbime në bazë të kontratave.

Kërkesa për pajisjen me leje unike, si edhe aplikimi për rinovimin e saj në rastet kur kërkohet miratimi për punësim, kryhet përmes platformës e-Albania.


Ka kategori që përjashtohen nga shqyrtimi i AKPA-së


Për disa shtetas procedura është edhe më e drejtpërdrejtë. Bëhet fjalë për shtetas amerikanë dhe familjarët e tyre, si edhe për kategori të caktuara shtetasish të vendeve të zonës Shengen që nuk janë pjesë e BE-së, me qëndrim të rregullt në Shqipëri.

Të njëjtin trajtim kanë edhe shtetasit e vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Kosovën, Serbinë, Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut.

Në këto raste, kërkesa trajtohet nga strukturat vendore përgjegjëse për kufirin dhe migracionin, ndërsa të dhënat për punësimin shkëmbehen në mënyrë elektronike me AKPA-në. Ndërkohë, autoritetet e kufirit dhe migracionit do të kryejnë edhe verifikimin e dokumenteve të paraqitura online. Udhëzimi i ri zëvendëson rregullat e përcaktuara në vitin 2023 dhe ngarkon me zbatimin e tij strukturat përkatëse të Policisë së Shtetit dhe Agjencinë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive. Në vitet e fundit gjithnjë e më shumë punonjës të huaj po zëvendëson fuqinë punëtore vendase, e cila ose është larguar jashtë Shqipërisë, ose nuk i përshtaten vendet vakante, ose biznesi i zgjedh për të reduktuar kostot.

Rreth 18,156 shtetas të huaj morën leje pune gjatë 2025 (mbi 14,300 ishin miratime për herë të parë). Mes shifrave spikati rritja e ndjeshme e lejeve për shtetas nga Filipinet. Ndërkohë, ministrja Delina Ibrahimaj ndërmori një tur zyrtar në Azi në korrik, ku nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi dhe memorandume për rekrutimin e rregullt të fuqisë punëtore nga vende si Vietnami dhe Indonezia.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page