Lajm i mirë për policët! Rriten pagat në 2027, ja sa do të përfitojnë sipas gradave

Projektbuxheti i vitit 2027 parashikon rritjen e pagave për 8,500 punonjës të Policisë së Shtetit, me një fond shtesë prej 3.3 miliardë lekësh. Lajmi u bë i ditur nga ministri i Financave, Petrit Malaj, gjatë prezantimit të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve.
Sipas Malajt, rritja do të aplikohet në varësi të gradës, ndërsa për kategorinë e inspektorëve paga bazë për gradë parashikohet të shkojë në 93 mijë lekë, nga 73 mijë lekë që është aktualisht. Kjo përfaqëson një rritje prej 20 mijë lekësh në muaj.
Për kategoritë e tjera të punonjësve të policisë, shtesa e pagës do të variojë nga 10 mijë deri në 15 mijë lekë, në varësi të gradës.
Për financimin e sektorit të rendit, projektbuxheti 2027 parashikon në total 36.7 miliardë lekë, ku fondi shtesë prej 3.3 miliardë lekësh do të përdoret për mbështetjen financiare të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Rritja e pagave është pjesë e prioriteteve të qeverisë për vitin e ardhshëm, me synimin për të mbështetur punonjësit që angazhohen në garantimin e rendit dhe sigurisë publike.






Comments