Kujdes me WhatsApp, mund t'ju hakerojnë llogarinë

Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike u ka bërë thirrje qytetarëve të tregojnë kujdes pas raportimeve për raste të komprometimit të llogarive në WhatsApp. Sipas autoritetit, në disa raste përdoruesit kanë humbur aksesin në llogaritë e tyre, ndërsa autoritetet po analizojnë mënyrën se si po kryhen këto tentativa.
AKSK u kërkon qytetarëve të aktivizojnë verifikimin me dy hapa në WhatsApp, si një nga masat kryesore për të shtuar sigurinë e llogarisë. Një tjetër paralajmërim lidhet me kodet e verifikimit. Autoriteti thekson se këto kode janë personale dhe nuk duhet t'i dërgohen apo t'i tregohen askujt, edhe nëse kërkesa duket sikur vjen nga një person i njohur. Përdoruesit këshillohen gjithashtu të kontrollojnë rregullisht seksionin “Linked Devices” në WhatsApp për të parë pajisjet që janë të lidhura me llogarinë dhe të shkëpusin menjëherë çdo pajisje që nuk e njohin.
AKSK paralajmëron edhe për lidhjet e dyshimta që mund të mbërrijnë përmes SMS-ve, WhatsApp-it apo postës elektronike. Në mënyrë të veçantë, qytetarët duhet të tregojnë kujdes kur një mesazh u kërkon të kryejnë verifikim të llogarisë përmes një linku.
Në rast se përdoruesi merr një kod ose njoftim për regjistrimin e WhatsApp-it në një pajisje tjetër, ndërsa nuk e ka kërkuar vetë këtë veprim, këshillohet të mos e ndajë kodin dhe të mos e autorizojë kërkesën. Një tjetër masë sigurie është përdorimi i një adrese emaili të lidhur me llogarinë, me një fjalëkalim unik dhe autentikim me dy faktorë. Kjo mund të ndihmojë në rikuperimin e llogarisë në rast të humbjes së aksesit. Autoriteti thekson se, nëse humbet aksesi në llogari, përdoruesit duhet të përdorin vetëm procedurat zyrtare të WhatsApp-it për rikuperimin e saj.






Comments