top of page

Kujdes! Borxhet e pallatit mund të bllokojnë shitjen e apartamentit

Oct 24
2 min read

Pronarët e apartamenteve që nuk paguajnë tarifat e administrimit të pallatit rrezikojnë kamatëvonesa të larta, procedura përmbarimore dhe kufizime mbi pronën në Kadastër. Rregullorja e re, e botuar në Fletoren Zyrtare më 23 tetor, përcakton procedurat për mbledhjen e detyrimeve dhe administrimin financiar të ndërtesave të banimit. Një nga pikat kryesore është rritja e kamatëvonesës nga 10% në 30% të tarifës mujore për çdo muaj vonesë. Ndryshimet synojnë të forcojnë zbatimin e detyrimeve financiare nga bashkëpronarët dhe të sigurojnë fondet e nevojshme për mirëmbajtjen e hapësirave të përbashkëta. Masat mund të shkojnë deri te kufizimi i pronës në Kadastër.


Kjo mundësi parashikohet kur pronari nuk ka paguar tarifat për të paktën 12 muaj ose kur detyrimi i papaguar arrin të paktën 0.5% të vlerës së apartamentit. Pas ndjekjes së procedurave ligjore, prona nuk mund të shitet, të transferohet apo të ngarkohet me barrë deri në shlyerjen e detyrimeve. Kufizimi nuk vendoset automatikisht. Sipas rregullores, kryesia e pallatit duhet të marrë vendimin me shumicë të cilësuar, ndërsa pronari duhet të njoftohet me shkrim të paktën 10 ditë përpara.


Pas paraqitjes së dokumentacionit të nevojshëm, Kadastra ka 15 ditë për regjistrimin e kufizimit. Kur borxhi shlyhet dhe depozitohet vërtetimi bankar, kufizimi hiqet brenda pesë ditëve. Detyrimi për pagesën e tarifës mujore vlen edhe për apartamentet bosh, ato që nuk përdoren nga pronari apo që janë dhënë me qira. Tarifa përcaktohet nga asambleja e bashkëpronarëve dhe, në mungesë të dakordësisë, zbatohet tarifa e referencës e miratuar nga këshilli bashkiak. Njësitë që përdoren për veprimtari tregtare duhet të paguajnë tarifa më të larta se apartamentet e banimit.


Rregullorja parashikon gjithashtu krijimin e llogarive bankare për mbledhjen e tarifave dhe administrimin e fondit rezervë, i cili do të përdoret për mirëmbajtjen, riparimet dhe ndërhyrjet emergjente. Bashkitë do të kenë përgjegjësi për mbikëqyrjen e zbatimit të standardeve të mirëmbajtjes së ndërtesave.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page