top of page

Kufizime të përkohshme trafiku në autostradën Tiranë-Durrës më 14 dhe 15 gusht

Aug 13
1 min read

Autoriteti Rrugor Shqiptar ka njoftuar se punimet për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës po hyjnë në një fazë të re dhe se kjo fazë do të shoqërohet me bllokim të qarkullimit. Konkretisht punimet janë fokusuar tek mbikalimi i Kasharit në degëzimin për në Rinas.  

Në kuadër të punimeve për projektin “Zgjerimi i Superstradës Tiranë-Durrës (Faza III)”, do të zbatohet një plan i përkohshëm i menaxhimit të trafikut për shkak të montimit të trarëve metalik të mbikalimit të ri të Kasharit.

Sipas njoftimit zyrtar, në netët e 14 dhe 15 gushtit 2026, në intervalin 23:00 – 05:00, do të bllokohen dy korsitë e aksit kryesor në drejtimin Tiranë-Durrës. Gjatë kësaj periudhe, automjetet që lëvizin drejt Durrësit do të devijohen në dy korsitë e anës së majtë të autostradës, të cilat do të funksionojnë përkohësisht si rrugë me dy drejtime qarkullimi. Autoritetet sqarojnë se mjetet me destinacion Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës nuk do të kenë pengesa në lëvizje dhe do të vijojnë qarkullimin normalisht.

Ndërhyrja është pjesë e punimeve për zgjerimin e segmentit strategjik Tiranë-Durrës, një nga akset me fluksin më të lartë të qarkullimit në vend.

Autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe të planifikojnë lëvizjet gjatë orëve të natës për të shmangur vonesat.

 

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page