top of page

Ku është më lirë pazari? Nis “Pasqyra e Çmimeve” me 238 produkte

Oct 12
2 min read

Konsumatorët shqiptarë do të kenë mundësi të krahasojnë çmimet e produkteve të përditshme në rrjete të ndryshme supermarketesh përmes platformës online “Pasqyra e Çmimeve”, e prezantuar nga Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit. Platforma përfshin 238 artikuj, të ndarë në 13 kategori produktesh, me çmime të verifikueshme në 155 pika shitjeje në të gjithë vendin. Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, deklaroi gjatë prezantimit se qëllimi i platformës është t’u japë qytetarëve mundësinë të informohen për çmimet dhe të zgjedhin se ku mund t’i blejnë produktet e tyre me kosto më të ulët. “Ne prezantojmë platformën online ‘Pasqyra e Çmimeve’, e cila do të ndihmojë çdo konsumator që të mund të shohë se ku janë çmimet më të lira dhe ku të shkojë e të drejtohet për të marrë ato produkte që ai merr zakonisht me çmime më të lira”, u shpreh Ibrahimaj.


Në platformë marrin pjesë pesë rrjete supermarketesh. Sipas ministres, këto rrjete kanë rënë dakord të bëjnë transparente çmimet e produkteve dhe t’i publikojnë ato në platformë, në mënyrë që konsumatorët të mund t’i krahasojnë përpara se të kryejnë blerjet. Produktet janë përzgjedhur duke u bazuar te artikujt që përdoren më shpesh në shportën e konsumit të familjeve shqiptare. Kategoritë përfshijnë produkte si sheqeri, vaji, mielli, drithërat, makaronat, fasulet, thjerrëzat, kosi, vezët, gjalpi dhe pula, si dhe detergjentë e produkte higjiene.


Përmes platformës, qytetarët mund të informohen për çmimet e produkteve në pikat e shitjes që janë pjesë e nismës dhe të zgjedhin supermarketin ku u leverdis më shumë të bëjnë pazarin. Sipas Ibrahimajt, synimi është që ky informacion të jetë lehtësisht i aksesueshëm nga telefoni celular ose kompjuteri. Ministrja bëri të ditur gjithashtu se në 10 ditët e ardhshme synohet të zhvillohet një aplikacion që mund të shkarkohet në telefon. Përmes tij, qytetarët do të mund të ruajnë të dhënat e tyre, produktet që ndjekin në shportën e konsumit dhe vendndodhjen, duke e bërë më të lehtë përdorimin e platformës. Një nga elementet kryesore të “Pasqyrës së Çmimeve” është detyrimi për raportimin e saktë të çmimeve. Ibrahimaj theksoi se çmimet e publikuara duhet të jenë reale dhe të përditësuara, ndërsa bëri të ditur se sistemet e ministrisë janë ndërlidhur me sistemet e tregtarëve për të lehtësuar këtë proces.


“Çmimet që janë të raportuara në platformën e çmimeve, ‘Pasqyrën e Çmimeve’, duhet të jenë çmime reale”, deklaroi ministrja, duke shtuar se tregtarët duhet të kujdesen që çmimet të përditësohen dhe të mos ketë mospërputhje mes informacionit online dhe çmimeve në pikat e shitjes. Sipas saj, në rast problematikash, do të ndiqen procedurat përkatëse, ndërsa mosrespektimi i detyrimeve mund të përbëjë shkelje të ligjit “Për mbrojtjen e konsumatorit” dhe të ndëshkohet me gjobë.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page