Kthesë historike te depozitat bankare, leku kalon valutën për herë të parë në një dekadë
- 4 days ago
- 2 min read

Depozitat bankare kanë vijuar të rriten me ritme të shpejta gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, ndërsa një ndryshim i rëndësishëm po ndodh në mënyrën se si shqiptarët i mbajnë kursimet e tyre. Sipas të dhënave, depozitat u rritën me 12% në terma vjetorë gjatë tremujorit të dytë, me kontribut në rritje nga të gjithë komponentët e tyre. Por zhvillimi më i rëndësishëm lidhet me monedhën në të cilën mbahen këto kursime. Për herë të parë në dekadën e fundit, depozitat në Lek sipas BSH, kanë marrë peshën më të madhe në totalin e depozitave, duke arritur në rreth 50.1%. Shqiptarët po i mbajnë më shumë kursimet në Lek. Depozitat në Lek u rritën me 13.5% në terma vjetorë, duke u zgjeruar më shpejt se depozitat në valutë. Sipas të dhënave, kjo ecuri lidhet me thellimin e ndërmjetësimit financiar në monedhën vendase, zgjerimin e ofertës monetare në Lek dhe prirjen e agjentëve ekonomikë për t’i mbajtur ose investuar kursimet e tyre përmes sistemit bankar. Depozitat në Lek kanë tashmë më shumë se një vit që rriten më shpejt se ato në valutë. Kjo ka sjellë një ndryshim gradual në strukturën e kursimeve dhe ka bërë që monedha vendase të kalojë në avantazh ndaj valutës. Në krahun tjetër, depozitat në valutë u rritën me 10.5% në terma vjetorë. Rritja e tyre është mbështetur kryesisht nga depozitat e bizneseve, në një kohë kur aktiviteti turistik dhe hyrjet e valutës në vend kanë shënuar zhvillime pozitive.
Bizneset rrisin ndjeshëm kursimet
Të dhënat tregojnë një diferencë të dukshme mes individëve dhe bizneseve. Depozitat e individëve u rritën me 9.8% në terma vjetorë. Rritja është përqendruar kryesisht te depozitat në Lek, ndërsa depozitat në valutë kanë shfaqur ngadalësim. Kjo lëvizje tregon edhe një tendencë për zhvendosjen e një pjese të kursimeve nga letrat me vlerë drejt depozitave bankare. Ndërkohë, depozitat e bizneseve u rritën shumë më shpejt, me 20.7% në terma vjetorë. Në këtë rast, kontributin kryesor e kanë dhënë depozitat në valutë.
Shqiptarët preferojnë paratë më likuide
Një tjetër element i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si ruhen kursimet. Depozitat pa afat kanë dhënë kontributin kryesor në rritjen e depozitave për më shumë se një vit. Ndërsa te depozitat me afat, preferenca është për maturitete deri në dy vjet. Depozitat me afate më të gjata po tërheqin më pak interes. Kjo lidhet si me ngushtimin e diferencës së kthimit midis depozitave me afate të ndryshme, ashtu edhe me preferencën e individëve për t’i mbajtur kursimet në një formë më likuide dhe më të aksesueshme. Si rezultat, depozitat pa afat përbëjnë tashmë 56.4% të totalit, një nivel pranë maksimumit historik. Në të kundërt, depozitat me afat mbi dy vjet kanë zbritur në 18.1%, një nivel pak më i ulët se ai i vitit 2024.






Comments