Kredia "shpërthen" në korrik, kalon për herë të parë 1 trilion lekë

Kredidhënia në ekonomi ka shënuar një tjetër rekord në korrik, ndërsa bankat kanë zgjeruar ndjeshëm financimin si për bizneset, ashtu edhe për individët. Stoku i kredisë ka kaluar për herë të parë nivelin e 1 trilion lekëve, duke reflektuar rritjen e kërkesës për financim dhe aktivitetin më të lartë të sistemit bankar.
Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se në fund të korrikut stoku i kredisë për ekonominë arriti në mbi 1 trilion lekë, nga rreth 993 miliardë lekë një muaj më parë. Brenda vetëm një muaji, portofoli i kredisë u zgjerua me rreth 7.7 miliardë lekë.
Në raport me fillimin e vitit, rritja është edhe më e konsiderueshme. Stoku i huave është shtuar me më shumë se 61 miliardë lekë, duke konfirmuar ritmin e zgjerimit të kreditimit në ekonomi.
Përshpejtimi i kreditimit vihet re edhe te huatë e reja të dhëna gjatë muajit. Në korrik, bankat disbursuan rreth 38.2 miliardë lekë kredi të reja, kundrejt 28.9 miliardë lekëve në të njëjtin muaj të vitit të kaluar. Diferenca përkthehet në një rritje vjetore prej rreth 32%. Ky është gjithashtu niveli më i lartë i kredive të reja të regjistruar për muajin korrik që prej vitit 2016.
Kompanitë private vijojnë të jenë grupi që përfiton pjesën më të madhe të financimit të ri. Në korrik, kreditë e reja për korporatat private arritën në 24.2 miliardë lekë, nga 19.1 miliardë lekë një vit më parë. Kjo tregon një rritje prej rreth 26.8% në harkun e një viti. Rritja e huadhënies tregon se bizneset po përdorin më shumë financimin bankar për nevojat e tyre, në një kohë kur aktiviteti kreditues po zgjerohet në mënyrë të dukshme. Edhe familjet kanë rritur ndjeshëm përdorimin e kredisë bankare. Në korrik, bankat u dhanë individëve rreth 13.9 miliardë lekë kredi të reja, shifër që është rreth 42% më e lartë se një vit më parë. Edhe për këtë kategori, bëhet fjalë për nivelin më të lartë të regjistruar gjatë një muaji korrik në serinë e të dhënave të publikuara.
Një nga komponentët kryesorë të rritjes së huamarrjes së individëve janë kreditë për blerjen e banesave.
Vetëm gjatë korrikut, bankat disbursuan rreth 7 miliardë lekë kredi të reja për shtëpi, ndërsa një vit më parë kjo shifër ishte rreth 4.65 miliardë lekë. Krahasimi vjetor tregon një rritje prej më shumë se 50%, duke sinjalizuar se kërkesa për financim bankar për blerjen e pronave mbetet në nivele të larta.






Comments