top of page

Hiqet taksa e qarkullimit, por dyfishohet taksa e makinave. Sa do të paguani nga 2027

3 days ago
3 min read

Qeveria propozon një ndryshim të rëndësishëm në mënyrën e taksimit të automjeteve, duke hequr taksën e qarkullimit prej 27 lekësh për litër naftë dhe benzinë, ndërsa rrit ndjeshëm detyrimin vjetor për pronarët e makinave. Sipas projektligjit të përfshirë në Paketën Fiskale 2027, taksa vjetore për shumicën e autoveturave do të dyfishohet, ndërsa më të larta do të jenë detyrimet për automjetet me motor mbi 2.000 cm³, makinat luksoze dhe mjetet elektrike. Ndryshimet parashikohet të hyjnë në fuqi nga 1 janari 2027 dhe synojnë të zhvendosin një pjesë të barrës fiskale nga konsumi i karburanteve te pronësia e automjeteve. Sipas përllogaritjeve të Ministrisë së Financave, të ardhurat nga taksimi i mjeteve të transportit që i kalojnë buxhetit të shtetit pritet të arrijnë në 33,8 miliardë lekë në vit, nga rreth 7,2 miliardë lekë që parashikohen të arkëtohen gjatë vitit 2026 me skemën aktuale.


Projektligji parashikon një rritje prej 26,6 miliardë lekësh në vit të të ardhurave nga taksat mbi automjetet, ndërsa heqja e taksës së qarkullimit do të reduktojë të ardhurat buxhetore. Në relacion, Ministria e Financave argumenton se ndryshimet synojnë rishpërndarjen e barrës tatimore dhe kompensimin e efekteve negative në buxhet që vijnë nga heqja e taksës së karburanteve.


Sipas formulës aktuale, taksa vjetore e automjetit llogaritet duke shumëzuar cilindratën e motorit me koeficientin e vjetërsisë dhe taksën fikse sipas llojit të karburantit.


Aktualisht, komponenti fiks është 12,5 lekë për makinat me naftë dhe 10 lekë për ato me benzinë. Me projektligjin e ri, këto vlera propozohen të rriten në 25 lekë për naftën dhe 20 lekë për benzinën, për automjetet me cilindratë deri në 2.000 cm³. Për makinat me cilindratë mbi 2.000 cm³, taksa fikse parashikohet të jetë 26 lekë për naftën dhe 21 lekë për benzinën dhe gazin. Për automjetet me gaz deri në 2.000 cm³, komponenti fiks propozohet në 20 lekë. Kjo do të thotë se për shumicën e autoveturave me cilindratë deri në 2.000 cm³, komponenti fiks i taksës do të dyfishohet. Për makinat me motorë më të mëdhenj, rritja do të jetë edhe më e lartë.


Për shembull, një makinë dhjetëvjeçare me naftë dhe cilindratë 2.000 cm³ paguan aktualisht 6.000 lekë taksë vjetore. Me formulën e re, detyrimi do të arrijë në 12.000 lekë në vit. Për një makinë me benzinë, me të njëjtën cilindratë dhe vjetërsi, taksa do të rritet nga 4.800 në 9.600 lekë në vit. Ndërsa për një automjet dhjetëvjeçar me naftë dhe cilindratë 2.500 cm³, detyrimi vjetor do të rritet nga 7.500 në 15.600 lekë.


Edhe makinat më të vjetra do të përballen me rritje të ndjeshme. Për një autoveturë 15-vjeçare me naftë dhe cilindratë 1.900 cm³, taksa do të rritet nga 10.450 në 20.900 lekë në vit.


Një tjetër ndryshim i rëndësishëm është heqja e përjashtimit nga taksa vjetore për automjetet deri në tre vjet të vjetra. Aktualisht, kjo kategori nuk i nënshtrohet taksës së automjeteve të përdorura, por projektligji parashikon përfshirjen e tyre në skemën e re. Për makinat njëvjeçare, koeficienti i vjetërsisë propozohet të jetë 0,15; për ato dyvjeçare 0,16 dhe për automjetet trevjeçare 0,17.


Një makinë njëvjeçare me naftë dhe cilindratë 2.000 cm³ do të paguajë 7.500 lekë taksë vjetore, ndërsa një makinë me benzinë me të njëjtat karakteristika do të paguajë 6.000 lekë. Për një automjet dyvjeçar me naftë dhe cilindratë 2.000 cm³, detyrimi do të jetë 8.000 lekë në vit, ndërsa për një makinë trevjeçare do të arrijë në 8.500 lekë.


Projektligji nuk përcakton një koeficient të veçantë për automjetet me vjetërsi zero vjet në tabelën përkatëse, ndaj mënyra konkrete e llogaritjes për këtë kategori duhet të sqarohet në zbatimin e skemës.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page