Hekurudhat hapin tregun për bizneset/ 25 nënkontraktorë vetëm në Tiranë-Durrës-Rinas

Projektet për modernizimin e rrjetit hekurudhor pritet të krijojnë një treg të ri për kompanitë shqiptare, përmes kontratave dhe nënkontratave që lidhen me ndërtimin, rehabilitimin dhe elektrifikimin e linjave. Kreu i Hekurudhës Shqiptare, Ergys Verdho, tha në Forumin e Konektivitetit të Tiranës se vetëm projekti Tiranë-Durrës-Rinas ka angazhuar deri tani 25 nënkontraktorë, përveç kompanisë që ka kontratën kryesore. “Kemi, për shembull, linjën Tiranë–Durrës–Rinas, ku kemi një kontraktues dhe 25 nënkontraktues, të cilët bashkëpunojnë për këtë qëllim. Ne, si autoritet, nënshkruajmë kontratën me kontraktuesin dhe pastaj nënkontraktuesit bashkëpunojnë drejtpërdrejt me të”, deklaroi Verdho. Sipas tij, shtrirja shumë më e madhe e projekteve që janë në përgatitje mund të sjellë edhe më shumë mundësi për kompanitë që operojnë në sektorë të lidhur me infrastrukturën.
“Nëse linja Tiranë – Durrës – Rinas ka 25 nënkontraktues, që është rreth 22 km, për Vorë – Hani i Hotit mund të kemi një përpjesëtim të drejtë me numrin e kilometrave”, tha ai. Një nga projektet më të rëndësishme është linja Vorë-Hani i Hotit, me gjatësi rreth 120 kilometra, e cila do të lidhë rrjetin hekurudhor shqiptar me Malin e Zi. Nëse ruhet një raport i ngjashëm i kontraktimit me atë të linjës Tiranë-Durrës-Rinas, shtrirja e projektit mund të krijojë një numër të konsiderueshëm kontratash dhe nënkontratash për kompani të ndryshme. Një tjetër projekt është Durrës-Rrogozhinë, rreth 34 kilometra, ku parashikohet rehabilitimi dhe elektrifikimi i linjës, si edhe rikonstruksioni i godinave të stacioneve. Këto investime pritet të krijojnë kërkesë për kompani që ofrojnë shërbime dhe punime të specializuara, krahas kontraktuesve kryesorë të projekteve.
Sa i përket linjës Tiranë-Durrës-Rinas, Verdho deklaroi se ndërtimi dhe stacionet pritet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti. Faza pasuese do të jetë elektrifikimi i linjës. Për këtë proces, Hekurudha Shqiptare është në diskutime me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. “Jemi të hapur me BERZH-in për të ecur përpara me elektrifikimin, tenderi ka përfunduar, ndërsa jemi në pritje të marrim nga BERZH-i atë ‘no objection’, për të nënshkruar kontratën”, tha Verdho.






Comments