top of page

Guvernatori me imunitet, Kuvendi miraton ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë

3 hours ago
1 min read

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin e ri “Për Bankën e Shqipërisë”, i cili sjell ndryshime të rëndësishme në organizimin, funksionimin dhe pavarësinë e institucionit qendror bankar. Ndër dispozitat më të diskutuara është imuniteti nga arrestimi për Guvernatorin, i cili do të zbatohet për vepra penale që lidhen me ushtrimin e detyrës.

Sipas ligjit të miratuar, Guvernatori nuk mund të ndalohet apo të privohet nga liria personale dhe liria e lëvizjes përmes masave shtrënguese, si dhe nuk mund t'i nënshtrohet kontrollit personal apo të banesës për vepra penale që lidhen me ushtrimin e funksionit të tij.


Megjithatë, varianti përfundimtar i miratuar nga Kuvendi ndryshon nga propozimi fillestar i Bankës së Shqipërisë. Në draftin e institucionit parashikohej që Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët të mos mund të arrestoheshin apo t'i nënshtroheshin kontrolleve pa autorizimin e Gjykatës Kushtetuese, me përjashtim të rasteve të flagrancës. Në variantin e miratuar, imuniteti kufizohet vetëm për veprat penale që lidhen me ushtrimin e detyrës dhe nuk parashikohet shprehimisht edhe për zëvendësguvernatorët.


Një tjetër ndryshim lidhet me institucionin që do të autorizojë vijimin e procedurave. Prokurori që ka juridiksion mbi hetimin duhet t'i drejtohet Kuvendit, i cili do të shqyrtojë nëse vepra penale lidhet me ushtrimin e detyrës, bazuar në dokumentacionin e paraqitur. Në rast se vepra penale nuk lidhet me ushtrimin e detyrës, Kuvendi jep autorizimin për vazhdimin e procedurave ligjore për vendosjen e masave shtrënguese apo ndaluese. Gjatë shqyrtimit të kërkesës, Guvernatori do të vijojë të ushtrojë funksionin e tij pa kufizime. Dispozitat për imunitetin do të hyjnë në fuqi vetëm pasi të miratohen ndryshimet përkatëse në Kodin e Procedurës Penale.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page