top of page

Gratë po fuqizohen në biznes, ja në cilat ndërmarrje kanë praninë më të madhe

Sep 22
2 min read

Gratë kanë arsimim më të lartë, por marrin më pak pjesë në tregun e punës dhe vijojnë të kenë paga më të ulëta se burrat. Këto janë disa nga gjetjet e publikimit të INSTAT “Gratë dhe Burrat në Shqipëri 2026”, i cili paraqet të dhëna të ndara sipas gjinisë për popullsinë, arsimin, punësimin, shëndetësinë, drejtësinë, vendimmarrjen dhe kushtet ekonomike të familjeve. Në fund të vitit 2025, Shqipëria kishte 2.335.930 banorë, ku 50,6% ishin gra dhe 49,4% burra. Krahasuar me një vit më parë, popullsia e burrave u ul me 1,3%, ndërsa ajo e grave me 1%.


Në tregun e punës, diferencat mes grave dhe burrave mbeten të dukshme. Në vitin 2025, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për moshën 15-64 vjeç ishte 82,7% për burrat dhe 70,1% për gratë. Edhe shkalla e punësimit ishte më e lartë te burrat, 76%, kundrejt 62,7% te gratë. Bujqësia zinte peshën më të madhe në punësimin e grave, me 38,4%. Ndërkohë, në sektorët e tregtisë, transportit, hotelerisë dhe shërbimeve të biznesit e administrative punonin 24,1% e grave të punësuara dhe 31,1% e burrave.

Edhe papunësia ishte më e lartë te gratë. Në grupmoshën 15-64 vjeç, shkalla e papunësisë ishte 10,6% për gratë dhe 8,2% për burrat. Krahasuar me vitin 2024, papunësia te burrat u ul me 0,7 pikë përqindjeje, ndërsa te gratë u rrit me 0,6 pikë përqindjeje.


Një tjetër diferencë lidhet me punën e papaguar në familje. Ndër gratë e punësuara të moshës 15-64 vjeç, 55,2% ishin të punësuara me pagë, ndërsa 25% ishin punëtore pa pagesë në biznesin e familjes. Të dhënat e INSTAT tregojnë gjithashtu se 15,1% e grave ekonomikisht joaktive mbi 15 vjeç deklaruan detyrat shtëpiake si statusin e tyre kryesor, kundrejt vetëm 0,7% të burrave. Hendeku gjinor në paga në vitin 2025 ishte 4,6%. Kjo do të thotë se paga mesatare mujore bruto e grave ishte 4,6% më e ulët se ajo e burrave. Hendeku ishte 4,9% në vitin 2024. Në fund të vitit 2025, gratë përbënin 48,4% të përfituesve të pensioneve urbane, ndërsa në pensionet rurale pesha e tyre ishte 69,1%.



Në ekonomi, 31,6% e ndërmarrjeve aktive kishin pronare ose administratore gra. Pesha ishte më e lartë te ndërmarrjet me 1-4 të punësuar, ku arrinte në 32,7%. Gratë kishin një prani më të madhe te prodhuesit e shërbimeve, ku 33,9% e ndërmarrjeve kishin pronare ose administratore gra, ndërsa te prodhuesit e të mirave kjo përqindje ishte 17,5%. Të dhënat për familjet tregojnë një tjetër diferencë ekonomike. Në vitin 2024, shpenzimet mesatare mujore për konsum ishin 93.042 lekë për familje. Familjet me kryefamiljar burrë shpenzonin mesatarisht 96.359 lekë në muaj, ndërsa familjet me kryefamiljare grua 76.235 lekë. Sa i takon varfërisë, në vitin 2024 rreziku për të qenë i varfër ishte 19,2%, nga 19,8% një vit më parë. Ky tregues ishte 19,5% për gratë dhe 18,9% për burrat. Rreziku për të qenë i varfër ose përjashtimi social ishte 41,5% për gratë dhe 39,4% për burrat.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page