top of page

Gjysëm milioni aplikime në kadastër, mbi 5 mijë pa përgjigje

  • Aug 3
  • 2 min read



Pavarësisht përmirësimit të treguesve administrativë, sistemi kadastral vijon të mbetet një nga pengesat kryesore për ekonominë shqiptare. Të dhënat zyrtare tregojnë se në vitin 2025 u regjistruan 541 mijë aplikime për shërbime kadastrale, 20% më shumë se një vit më parë, duke reflektuar rritjen e kërkesës për transaksione pronësie, kredi bankare dhe investime.

Administrata ka arritur të shkurtojë kohën mesatare të ofrimit të shërbimit në 13 ditë kalendarike, nga 22 ditë në vitin 2024. Gjithashtu, 99% e aplikimeve kanë marrë përgjigje, ndërsa vetëm 5,157 dosje, ose 1% e totalit, rezultojnë të papërgjigje

Megjithatë, pas këtyre statistikave fshihet një problem shumë më i madh. Shqipëria nuk ka ende një kadastër fiskale të plotë dhe të digjitalizuar. Rreth 70% e hartave kadastrale vazhdojnë të jenë në regjistra manualë, duke e bërë të pamundur verifikimin e shpejtë të pronësisë dhe duke zgjatur procedurat për qytetarët, bizneset dhe investitorët.

Shifrat tregojnë gjithashtu varësinë e sistemit nga noterët. Nga 541 mijë aplikime, vetëm 160 mijë u kryen përmes platformës e-Albania, ndërsa rreth 375 mijë, ose afro 70% e totalit, u depozituan nëpërmjet noterëve. Pjesa tjetër u realizua nga institucionet publike.

Ekspertët vlerësojnë se mungesa e një regjistri të plotë dhe të digjitalizuar të pronave nuk është vetëm një problem administrativ, por edhe ekonomik. Çdo vonesë në verifikimin e pronësisë ndikon drejtpërdrejt në shitblerjet e pasurive të paluajtshme, në dhënien e kredive hipotekore, në investimet private dhe në sigurinë juridike të pronës.

Në një treg ku prona mbetet aseti kryesor i familjeve shqiptare dhe garancia kryesore për financimin bankar, përfundimi i digjitalizimit të kadastrës konsiderohet një nga reformat më të rëndësishme për përmirësimin e klimës së biznesit dhe nxitjen e investimeve. Derisa çdo pronë të jetë e regjistruar dhe e aksesueshme në mënyrë elektronike, shërbimet kadastrale do të vazhdojnë të jenë një nga hallkat më të dobëta të administratës publike dhe një frenë për zhvillimin ekonomik të vendit.

Comments


Informohuni për zhvillimet nga ekonomia.

  • Instagram
  • Facebook

© 2026 

bottom of page