top of page

Fermerët po marrin paratë! Mijëra pagesa po kalojnë në llogari

Sep 29
2 min read

Procesi i shpërndarjes së mbështetjes financiare për fermerët në kuadër të Skemës Kombëtare 2026 ka hyrë

në fazën e pagesave, me 6,609 pagesa të autorizuara deri tani. Sipas njoftimit të bërë nga AZHBR për ecurinë e skemës, pagesat janë përcjellë në Thesarin e Shtetit, ndërsa hapi pasues është kalimi i fondeve në llogaritë bankare të përfituesve. Procesi vijon paralelisht me autorizimin e pagesave të tjera, deri në përfundimin e procedurave për të gjithë fermerët që përfitojnë nga skema. Skema Kombëtare e Mbështetjes për vitin 2026 është miratuar me një buxhet fillestar prej 5.2 miliardë lekësh, fond që përfshin pagesat direkte dhe grantet për investime në ferma, agrobiznese dhe sektorë të lidhur me zhvillimin rural.


Buxheti fillestar është 16% më i lartë krahasuar me atë të vitit 2025. Skema e këtij viti u hartua pas një procesi konsultimi me fermerët. Ministria e Bujqësisë zhvilloi 23 takime në të 12 qarqet e vendit, me synimin që kriteret dhe masat e mbështetjes të përshtateshin me nevojat e ngritura nga fermerët në terren. Një nga objektivat e deklaruara për Skemën 2026 është afrimi gradual i politikës së mbështetjes me standardet dhe praktikat e Bashkimit Evropian.


Përveç pagesave direkte, skema përfshin edhe mbështetje për investime që synojnë modernizimin e prodhimit dhe forcimin e zinxhirit të vlerës. Në paketën e investimeve përfshihen projekte për serra, pemtari dhe vreshtari, stalla, mekanikë bujqësore, linja përpunimi, akuakulturë detare dhe agroturizëm. Sipas Ministrisë së Bujqësisë, të gjitha aplikimet fituese për këto projekte synohen të marrin mbështetje në kuadër të skemës. Një ndryshim i evidentuar gjatë zbatimit të Skemës 2026 lidhet edhe me blegtorinë. Për përfitimin e mbështetjes për të imtat, pragu është ulur nga 100 në 50 krerë, ndërsa është parashikuar rritje e mbështetjes financiare për blegtorët. Mbi 42 mijë fermerë kanë aplikuar për të përfituar nga skema kombëtare e mbështetjes në bujqësi për vitin 2026, ndërsa vlera e kërkesave ka tejkaluar 7 miliardë lekë, nga 5,2 miliardë lekë që është fondi i vënë në dispozicion nga qeveria.

Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page