Euro "thyen" rekordin negativ, ja me sa lekë këmbehet sot

Euro ka nisur javën me një tjetër rënie në tregun valutor shqiptar, duke prekur nivelin më të ulët historik. Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, më 19 tetor monedha europiane u këmbye me 91.1 lekë, ndërsa rënia vjetore e kursit euro-lek ka arritur në 6.1%.
Sipas ekspertëve të tregut valutor, dobësimi i euros lidhet me kërkesën e ulët për monedhën europiane, ndërkohë që oferta në treg mbetet e lartë. Përveç të ardhurave nga turizmi, të cilat tashmë shtrihen pothuajse gjatë gjithë vitit, në ofertën e euros ndikojnë edhe transaksionet financiare përmes sektorit bankar, përfshirë pagesat me karta në valutë dhe të ardhurat e bankave nga interesat e instrumenteve financiare në monedhë të huaj.
Ndërkohë, Banka e Shqipërisë ka rritur blerjet e valutës në tregun e brendshëm. Gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, banka qendrore bleu 524 milionë euro, 224% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Nga kjo shumë, 143 milionë euro u blenë përmes ankandeve të programuara për rritjen e rezervës valutore, ndërsa 381 milionë euro përmes blerjeve direkte. Duke përfshirë edhe 139.6 milionë eurot e blera gjatë tremujorit të parë, blerjet e Bankës së Shqipërisë për gjashtëmujorin e parë arritën në 663.6 milionë euro.






Comments