top of page

Energjia e rinovueshme rrit prodhimin, por rrjeti i transmetimit vihet në provë

Oct 2
2 min read

Zgjerimi i shpejtë i kapaciteteve të energjisë së rinovueshme në Shqipëri po përballet me një tjetër sfidë: rrjeti i transmetimit nuk është projektuar për nivelin e ri të prodhimit që po hyn në sistem. Shqetësimi u ngrit gjatë një takimi mes ministrit të Transportit dhe Energjisë, Enea Karakaçi, prodhuesve të energjisë elektrike, deputetëve të Komisionit të Burimeve Natyrore dhe drejtuesve të institucioneve të sektorit energjetik. Sipas Karakaçit, aktualisht në Shqipëri janë rreth 700 megavat kapacitete fotovoltaike në operim, ndërsa rreth 1,000 megavat të tjera janë në ndërtim ose në faza procedurash.


Kjo rritje po shoqërohet edhe me interes më të madh për bateritë dhe sistemet e depozitimit të energjisë. Paralelisht, po përgatitet edhe një ankand i ri për energjinë fotovoltaike, këtë herë i kombinuar me bateritë, në bashkëpunim me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Por zgjerimi i prodhimit po krijon presion mbi infrastrukturën ekzistuese. Çështja që mbetet për t’u zgjidhur është mënyra se si do të financohen këto investime. Karakaçi tha se gjatë takimit ka ngritur shqetësimin që kostot e përshtatjes së rrjetit të mos rëndojnë tërësisht mbi konsumatorët shqiptarë, veçanërisht duke pasur parasysh se një pjesë e energjisë së prodhuar synon tregjet rajonale dhe evropiane.


"Diskutuam për zhvillimet e reja në sektor dhe sfidat që sjell rritja e kapaciteteve të energjisë së rinovueshme. Theksova se tashmë me ligjin e ri, Shqipëria është përafruar më tej me rregullat europiane të tregut të energjisë, duke krijuar më shumë mundësi për integrimin ne trëgjet rajonale dhe evropiane. Po ashtu diskutuam edhe për rritjen e investimeve në energjinë e rinovueshme. Aktualisht janë rreth 700 megavat kapacitete burime fotovoltaike në operim, ndërsa 1000 mega të tjerë janë në proces ndërtimi, ose në faza procedurash. Po rritet edhe interesi për sistemet e baterive dhe depozitimit të energjisë. Ndërkohë një lajm i mirë për të gjithë prodhuesit e energjisë është se vazhdojnë planet për zgjerimin e kapaciteteve energjetike. Po punojmë bashkë me BERZH për një ankand të ri për energjinë fotovoltaike që këtë herë do të jetë bashkë me bateritë. Kjo rritje sigurisht që sjell një sfidë të rëndësishme, rrjeti i transmetimit nuk është ndërtuar për këtë nivel të ri prodhimi. Në disa zona kapaciteti i rrjetit është pranë kufirit dhe kërkohen investime të konsiderueshme. Në takim pata mundësi të shpreh shqetësimin sa i përket financimit të këtyre investimeve. Theksova se nuk është e drejtë që e gjithë barra të bjerë mbi konsunmatorin shqiptar, aq më tepër që energjia është prodhuar për eksport në rrjetet rajonale dhe europiane. Për këtë arsye po shqyrtojmë edhe modele financimi sipas Bashkimit Europian", tha Enea Karakaçi.


Comments


Na ndiqni për zhvillimet nga ekonomia në llogaritë:

  • Facebook
  • Instagram
bottom of page